Vendimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive për të kaluar nga sinjalet analoge në ato dixhitale, ka shkaktuar përplasje mes televizioneve. Disa nga televizionet më të mëdha në vend, si News24, Report Tv, Top Channel, Vizion Plus dhe Ora News, i kanë nisur një letër Autoritetit të Mediave Audiovizive, ku i kërkojnë që të nisë menjëherë transmetimi dixhital dhe të fiket sinjali analog.
Kërkesa e tyre ka ardhur pasi televizionet Klan, Klan Plus, ABC News dhe Shijak Tv, nuk i kanë fikur sinjalet analoge. Televizionet të cilat kanë zbatuar urdhrin e AMA, kanë paralajmëruar ditën e djeshme se nëse ky vendim nuk do të zbatohet nga katër televizionet e tjera, do e dërgojnë çështjen në gjyq. “Në mbështetje të Ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, (i ndryshuar) dhe vendimeve tëmiratuara nga institucioni juaj për mbylljen e transmetimeve analoge dhe kalimin në transmetim digjital po ju parashtrojmë ankesën për sa më poshtë vijon, sipas vendimit të miratuar së fundmi nga ana e Institucionit tuaj me nr. 119, datë 30.09.2019 për “Mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në datën 01 tetor 2019’’ (publikuar në faqen web të AMA-s, dhe që i bashkëlidhur kësaj ankese), nga ana jonë si OSHMA është proceduar me mbylljen e transmetimit analog dhe fillimin e transmetimit digjital në respekt të këtij vendimi dhe Ligjit “Për Mediat Audiovizive në Republikën ë Shqipërisë”. Konstatohet me shqetësim, ashtu edhe si ju jeni në dijeni nga mbikëqyrja e OSHMA – ve në treg, se operatorë të tjerë si Klan, Klan Plus, ABC Neës, Shijak Tv etj, nuk e kanë respektuar këtë vendim dhe vazhdojnë të transmetojnë përveç në dixhitale edhe në sinjal analog në qarqet Tiranë dhe Durrës.
Ky transmetim po bëhet në kundërshtim me vendimin tuaj dhe për më tepër, ka krijuar pabarazi dhe deformim të konkurrencës në treg”, shkruhet në letrën e televizioneve dërguar AMA-s. Ndërkohë televizionet i kanë kërkuar AMA-s që të ndërmarrë masat e duhura operacionale dhe ligjore, për të detyruar këta operatorëtë zbatojnë ligjin dhe të mos prishin ekuilibrat e tregut kaq sensibël si ai i mediave, duke mos u bërë palë me shkaktuesit e shkeljeve më sipër cituar. “Sjellim në vëmendjen tuaj që shkelje të tilla sanksionohen nga nenet 18, 19, 78, 88, 132, 133 të Ligjit nr. 97/2013 ”Për Mediat Audiovizive në Republikën ë Shqipërisë” dhe, sipas të drejtave dhe rëndësisë së zgjatjes së kësaj situate, mund të jenë objekt i mosmarrëveshjeve që do të lindin dhe shqyrtohen nga organet gjyqësore kompetente për shpërblimet e dëmeve të shkaktuara”, shkruhet në letrën e tyre. Ndërkohë pak ditë më parë kreu i AMA, në një prononcim për mediat ka reaguar në lidhje më këtë çështje, përpara se televizionet të dërgonin letrën. AMA është shprehur që kjo nuk është një situatë e panjohur, pasi ky proces është bërë më parë dhe ka pasur një problematikë të tillë. Gentian Sala, kryetar i AMA-s ka deklaruar se nuk ka kthim prapa dhe i bën apel televizioneve që të zbatojnë ligjin. “Unë dua të bëj të ditur që digjitalizimi nuk ka më kthim prapa, televizionet kanë bërë investime të jashtëzakonshme, qytetarët kanë benefite të jashtë zakonshme, janë 38 kanale pa pagesë përveç atyre që ofrojnë platformat, unë do ju bëja thirrje televizioneve që të respektojnë ligjin dhe sa më parë ato që kanë ngelur të mbyllin transmetimet analoge”, është shprehur kryetar i AMA-s, Gentian Sala. Kreu i AMA, ka deklaruar pak ditë më parë se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje të ashpra që të fiken antenat nga televizionet që vazhdojnë të transmetojnë në analog në Tiranë dhe Durrës. Por nuk dihet ende se si do të vijojëçështja me televizionet që ende vijojnë të mos i ndërpresin sinjalet analoge. /Arbjona ÇIBUKU