Javën që shkoi Parlamenti i Greqisë mbajti një 1 minutë heshtje për Kostandino Kaçifas me iniciativë të nënkryetarit Nikita Kaklamani. Konferenca e Kryetarëve në Parlamentin grek diskutoi pikërisht për këtë temë. Kryetari i Parlamentit grek, Nikos Voutsis pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve deklaroi se ka pasur diskutime për nismën e nënkryetarit që të mbahej 1 minutë heshtje për Kaçifas.
Kryeparlamentari grek tha se ky episod duhet të ishte shmangur, sepse tashmë dihet pozicioni i të gjitha forcave politike. Ai deklaroi gjithashtu se ngushëllimet shkojnë për familjen e të ndjerit, por shtoi se kjo ngjarje është duke u hetuar nga autoritetet shqiptare.
“Çdo parti ka shprehur qëndrimin e qartë të saj. Prandaj meqënëse pozicionet e partive janë të njohura, asnjë iniciativë e tillë nuk duhej të ishte ndërmarrë”, tha kryetari i Parlamentit të Greqisë, Nikos Voutsis.
Ky i fundit shtoi gjithashtu se me këtë pikëpamje kishin rënë dakord të gjitha palët, me përjashtim të Agimit të Artë. Por edhe Demokracia e Re mbrojti nismën që mori nënkryetari për të mbajtur 1 minutë heshtje për minoritarin grek që u vra në Bularat të Gjirokastrës.
Kurse politikani tjetër grek, Thanasi Pafilis deklaroi se nuk mund të vendosej në mënyrë të njëanshme për të mbajtur 1 minutë heshtje, pa konsultim mes palëve në Parlament. Pafilis theksoi vrasja e Kaçifas shfrytëzohet nga nacionalistët në Greqi dhe Shqipëri.
Pas këtyre diskutimeve, u kundërpërgjigj edhe nënkryetari i Parlamentit të Greqisë, Nikos Voutsis, i cili vendosi mbajten e 1 minutë heshtje. Sërish, ai mbrojti vendimin e tij. “Ju po diskutoni për një të vdekur, kurse unë po flas për një person të vrarë”.