Komisioni i Pavarur i Kualifikimit parashikon që përgjatë një viti të skanojë plot 113 gjyqtarë dhe prokurorë. Deri më tani kanë kaluar në sitë 49 emra nga lista prioritare, ndërkohë që janë dhe 5 të tjerë që do të dalin në seanca dëgjimore në ditët në vijim. Por në faqen zyrtare në internet të KPK është bërë e ditur se janë hedhur shortet e trupave gjyqësore për 3 lista me gjyqtarë dhe prokurorë, secila me nga 36 emra.
Bashkë me 4 emrat e mbetur nga lista e parë, bëhet fjalë për plot 113 gjyqtarë dhe prokurorë që do të skanohen përgjatë një viti. Vetingu në ditët në vijim do vijojë me 4 emra: Ramadan Trocin, kandidat për KLP, Besnik Canin, kandidat për KLP, Shpëtim Kurtin, kandidat për KLP; Kastriot Selitën, kandidat për KED dhe Marsida Xhaferllari, kandidate për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Këta janë emrat që do të vendosin më pas dhe fatin e organeve të reja të drejtësisë.
Pasi të mbarojë vetingu për ta do hidhet shorti nga Prokuroria e Përgjithshme për anëtarë të KLP nga prokuroria e Apelit Tiranë. Po ashtu pritet që Presidenca ose Kuvendi të hedhin shortin për anëtarët e KED. Më pas do të vijohet më listën e dytë, me 36 emra, ku bëjnë pjesë disa kandidatë për KED, kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese dhe krerët e gjykatave dhe të prokurorive në vend.
Më pas do të vijohet me krerët e të gjitha prokurorive në vend dhe anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa në fund do të vijohet me këshilltarët e Gjykatës së Lartë. Ajo që bie në sy është se për të gjithë këta emra janë përcaktuar trupat që do të kryejnë verifikimin dhe për një pjesë të madhe ka përfunduar puna kryesore.
Për shumë prej tyre janë grumbulluar të dhënat dhe në ditët në vijim pritet që KPK të nisë me disa seanca dëgjimore në javë për të ezauruar sa më shpejt emrat në listë.
Emrat që kanë hetuar korrupsionin
Me interes pritet vetingu për anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjithë ata kanë pasur në dorë dosje të mëdha korrupsioni. Para një viti Prokuroria e Përgjithshme ishte organi kompetent për të hetuar zyrtarët e lartë, përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë, etj.
Të gjithë akuzat e ngritura këto vitet e fundit për pushtetarët janë hetuar pikërisht nga 10 anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Ata kanë qenë në detyrë gjatë kohës që në krye të organit të akuzës ishte Adriatik Llalla dhe periudha e tij do të mbahet mend vetëm për mbylljen e dosjeve të bujshme të korrupsionit.
Vetë qeveria aktuale ka ngritur padi për rreth 8 ministra të qeverisë “Berisha”. I vetmi që e pësoi ishte Spiro Ksera, por dhe ai sot është jashtë burgut. Asnjë tjetër nuk u ndëshkua. Po ashtu Kontrolli i Lartë i Shteti ka bërë me dhjetra kallëzime për ministra, zv/ministra e Sekretarë të Përgjithshëm dhe sërish nuk u ndëshkua askush. Mbetet të shihet nëse anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme do ngelin në veting apo do të rezultojnë të pastër.
Verifikime jashtë vendit
Por telashet për gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të jenë vetëm brenda vendit, pasi ka rrezik që të ketë hetime dhe jashtë vendit, ndërsa në sitë do të kalojnë dhe të afërmit e tyre. Ka shumë njerëz në drejtësi që gëzojnë dy shtetësi dhe kjo do e rrisë rrezikun për ta.
Por nga ana tjetër, nëse në shtete të ndryshme të botës ata kanë pastruar para apo kanë fshehur të ardhurat, atëherë dhe këto shtete mund të nisin hetime kryesisht. Por njëkohësisht janë të rrezikuar dhe familjarët e tyre. Pra kjo rrugë do të ndiqet dhe për të gjithë ata që kanë përfshirë dhe familjarët në deklarimet e tyre.