Pas dështimit të politikës shqiptare për të luftuar kultivimin dhe trafikimin masiv të drogës, çka e ka bërë vendin tonë të renditet në ‘listën e zezë’ të vendeve në rang ndërkombëtar, SHBA ka marrë në dorë situatën.
Ambasadori në ikje i SHBA në Tiranë, Donald Lu, ka hedhur në sulm grupet e tij për të ulur përdorimin e drogës në Shqipëri, deri në parandalimin total të lëndëve narkotike.
Projekti ka nisur menjëherë zbatimin e planit amerikan, ku ka filluar trajnimi i ekspertëve nga sektori i arsimit, shëndetit dhe zbatimi i ligjit, për të ngritur koalicione në çdo qytet, që do të shërbejnë për të krijuar komunitete të sigurta, të shëndetshme dhe pa drogë.
“Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën Amerikane në Tiranë nisi një projekt me Koalicionin Amerikan të Komunitetit Kundër Drogës (CADCA) i cili synon të ulë përdorimin e drogës në Shqipëri. Partnerët e projektit u takuan në Tiranë dhe Shkodër për hapin e parë të planit të tyre për të trajnuar përfaqësues nga sektorët e arsimit, shëndetit dhe zbatimit të ligjit, dhe për të ngritur koalicione të komunitetit për parandalimin e drogës. Këto koalicione do të punojnë për të krijuar komunitete të sigurta, të shëndetshme dhe pa drogë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
(Postimi i ambasadës së SHBA)