Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar në lidhje me plagosjen e dy djemve serbë në Shtërpcë. Stano ka thënë se BE-ja e dënon ashpër plagosjen që ka ndodhur në Shtërpcë gjatë pasdites së të premtes.
Ndërsa ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të bëjnë një hetim të plotë për këtë krim të neveritshëm dhe që drejtësia të vihet në vend.
“BE me vendosmëri dënon plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të vendoset.I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, ka shkruar Stano në rrjetet sociale.
Kujtojmë se dy kushërinjtë serbë Stefan Stojanoviç, 11 vjeç, dhe Millosh Stojanoviç 21 vjeç, janë qëlluar nga një shqiptar, teksa ishin duke ecur në anë të rrugës dhe mbanin pemën e Krishtlindjes, kur sulmuesi hapi zjarr ndaj tyre.
Më herët edhe kryeministri Kurti reagoi ashpër ndaj ngjarjes.
Ai dënoi sulmin dhe i uroi shërim të shpejtë të lënduarve, duke theksuar se autori do të përballet me drejtësinë.