Pjetër Gjoka ishe djali i Gjokë Pjetërs nga Dushmani i Shllakut, Dukagjin, lindi në Ulqin më 3 gusht të vitit 1912 dhe vdiq më 2 maj të vitit 1982, ishte aktor i njohur shqiptar.
Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet 30 në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”. Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht.
Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Gjini, Ali Pashë Gucia, etj. Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka intertretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”.
Krahas punës si aktor, ka vënë në skenë edhe disa pjesë, si regjisor.Interpretoi ne filmat : Skenderbeu(1953); Femijet e saj(1957); 1958: Tana(1958); Furtuna(1959); (Njesiti gueril); Gjurma(1970); Gjenerali i ushtrisë së vdekur(1975); I treti(1978); Yje mbi Drin(1978); Në prag të lirisë(1981)
Familja e tij do të vendosej në Shkodër në vitin 1915. Shkodra i priti me shi. Aty do të fillonte jeta e atij që më vonë do të ishte “Artist i Popullit”, Pjetër Gjoka. Mësimet e para do t’i merrte në shkollën e Françeskanëve në të njëjtin qytet dhe profesor do të kishte At Gjergj Fishtën, me të cilin do të kishte shumë kujtime. Një ndër ta është ai që i përket ditës ku Pjetri i vogël, pas mësimit kishte shkuar të lahej në lumin Kir dhe ishte hedhur nga ura e tij. Atëherë, siç do të rrëfente vetë ai, Fishta që nuk i bëhej fjala dysh, i kishte bërtitur dhe e kishte bërë t’i vinte gishtin kokës. Në jetën e tij artistike, Pjetër Gjoka ka qenë edhe muzikant edhe aktor. Si i tillë, janë të shumta pjesët që ka vënë në skenë. Nga dramat e shkruara nga kryemjeshtërit e letërsisë shqipe, më e mira për kremtimin e përvjetorit të Pavarësisë, në nëntorin e vitit 1945-ës është tragjedia “Juda Makabre” e shkruar nga At Gjergj Fishta.
Me një subjekt të marrë nga Bibla, ashtu siç nënvizonte edhe Zef Zorba tragjedia “ishte fund e krye akuzë ndaj çdo lloj pushteti e çdo tradhtie ndaj atdheut, i përshtatej çuditërisht dallgëve të situatës politike nëpër të cilat po përshkohej kombi”. Për të realizuar këtë, një grup artistësh shkodranë bënë të pamundur dhe liruan nga “burgu-shtëpi” Prenkë Jakovën, i cili ishte i vetmi që mund ta bënte muzikën. Përgatitjet për ta vënë në skenë atë nuk do të kalonin pa rënë në sy nga organet e sigurimit të shtetit. Filluan kërcënimet indirekte ndaj iniciatorëve. Situata e tendosur politike e kohës bëri që leja mezi të merrej nga Ministri i atëhershëm i kohës Sejfullah Malëshova, “ithtar” i Fishtës. Por edhe pas kësaj, shfaqja do të ndalohej nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh premiera e shfaqjes të jepej më 28 nëntor 1945 në sallën e kinema “Rozafat”. Kundrejt kërkesave për ta përsëritur shfaqjen, erdhi vendimi komunist “ndal”. Fundi i kësaj shfaqje, ku Pjetri luante priftin, shënon fundin e aktivitetit vokal të Pjetër Gjokës.Një tjetër rol i suksesshëm i Pjetrit do të ishte ai i Lleshit tek drama “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Drama e realizuar në vitin 1937, vihej në skenë me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë.
Pjetër Gjoka and Gulielm Radoja in I treti (1978)
Pjetër Gjoka luajti me sukses përkrah Loro Kovaçit, në rolin e Skënderbeut. Lleshi do të shkonte në Stamboll t’i mbushet mendjen Skënderbeut të kthehej në Shqipëri. Roli mishëronte në vetvete urtësinë popullore. Në të shkriheshin njëra me tjetrën ngrohtësia dhe ashpërsia. Shfaqja e organizuar nga Loro Kovaçi, pas suksesit të madh në Shkodër, ditën e 28 Nëntorit, do të jepej në Tiranë, që ato ditë festive ishte mbushur me trupa amatore. Pika kulminante e saj ishte momenti kur plaku Llesh (Pjetri), me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, ulte flamurin turk dhe ngrinte atë shqiptar. Kjo bëri që spektatori të kalonte në delir e të thirrte “Rroftë Shqypnija”.Drama “Dy princa për një vashë”, me tre akte u shkrua dhe u vu në skenë nga Henrik Lacaj, më 26 prill 1939. Drama krahas subjektit dhe interpretimit shënon edhe daljen për herë të parë në skenë të një vajze, Maria Markut, që interpretonte në një trupë me meshkujt. Në dramën “Dedë Gjo Luli”, Pjetri ka rolin kryesor ate te Dedës, një realizim i bazuar tek njohja e thellë e kësaj figure. Mesa dramave të shfaqura nga shoqëria “Bogdani” është edhe “Drejtësia cigane” e përkthyer siç ishte bërë zakon të cilësohej në atë kohë lirshëm nga Pjetër Gjoka dhe Kolë Çuni. Ai do të interpretonte edhe rolin e Zabelinit në “Orët e Kremlinit”. Por aktorit, rolet e shumta si malësor i veriut, me kalimin e kohës duket se e shqetësuan. Për këtë ai do të thoshte: Ai njihet si një ndër aktorët që ka interpretuar role, edhe pse ishte i verbër.
Në Festivalin Kombëtar të teatrove ai do të merrte pjesë me rolin e Pilos, tek pjesa “Shënomëni edhe mua”. E mori atë rol me dëshirë të madhe, i vetëdijshëm për vështirësitë që i sillte verbëria. Në një situatë të tillë, Gjoka do të thoshte se është fatkeqësi e madhe të mos dish të lexosh, por fatkeqësi më e madhe qenka kur di dhe nuk mundesh”.
Nga monografia “Pjetër Gjoka, 52 vite në skenë” e botuar nën kujdesin e djalit të aktorit të madh, Gjovalin Gjoka dhe nipit Gjovalin Çuni, mesohet , se kur ai u nda nga jeta, me vete mori edhe një peng. Në ditët e fundit të jetës, i tërhequr pas figurave kombëtare, e tërhoqi shumë monologu i Ismail Qemalit mbajtur ditën e Shpalljes së Pavarësisë. “Pas dy vjetësh është 70-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Edhe unë për koincidencë mbush atë vit, 70 vjeç. Kam një ëndërr si aktor. Të luaj Ismail Qemalin. Me siguri atë vit, do të ketë film apo dramë për të…” Ëndrra mbeti ëndërr, një vegim i këndshëm, i parealizuar, sepse ai u nda nga jeta më 2 maj 1982.