Më 21 maj të vitit 1945 autorja suedeze, Astrid Lindgren, i dhuron vajzës së vet, Kerin, dorëshkrimin mbi historinë e çapkënes Pipi si dhuratë ditëlindjeje në dhjetëvjetorin e saj. Ajo e kishte shkruar këtë histori enkas për vajzën e saj, për ta argëtuar atë, meqë Kerin kishte qenë për një kohë të gjatë e sëmurë në shtrat.
Nga suksesi që pat libri me historitë e Pipi Çorapegjatës, aventurat e saj fëmijërore, filluan shumë shpejt të përkthehet në shumë gjuhë të botës. Më pas, në vitet `68 filloi xhirimi i TV serialit për fëmijë Pipi Çorapegjata i bazuar në librin e Astrid Lindgren me po të njëjtin titull.
Historia e çapkënes Pipi është tejet interesante dhe sjell edhe shumë porosi edukative. Pipi është gjithë kohës një vajzë kureshtare, ecën syhapur duke shijuar dhe shndërruar çdo gjë në histori interesante. Pipi u gëzohet gjërave të vogla, është pozitive dhe e do jetën. Vajza çapkëne me pikat e verës në fytyrë nuk pret t`i buzëqeshin, ajo u buzëqesh e para të gjithëve.
Pipi komunikon, kërkon të njohë shumë njerëz dhe fiton gjithmonë vëmendjen e tyre. Ajo është e guximtare dhe zemërgjerë. Ndihmon më të dobëtit dhe mbron shoqërinë e saj. Miqtë më të ngushtë të saj janë Annika dhe Thomas, me të cilët ndan në jetën e saj pothuajse çdo gjë. Pipi i do kafshët, kujdeset për to, saqë kalin e saj me pika e mban brenda në shtëpi. Pipi kur lodhet, pushon.
Asokohe, roli i Pipit pikaloshe ju besua aktores dhe këngëtares suedeze Inger Nilsson. Ajo ishte vetëm 10 vjeç, kur filloi pjesëmarrjen e saj në këtë seri televizive, suksesi i të cilës bëri që ajo më pas të luajë si aktore kryesore edhe në tre filmat e Pipi Çorapegjatës të xhiruara në vitet 1969/70. Nelsson, me rolin e Pipit fitoi njohje në mbarë botën, kudo ku filmat e saj transmetoheshin. Si pjesë e suksesit si aktore, ajo në vitin 1975 nderohet me çmimin kinematografik spanjoll TP de Oro, në kategorinë për personazhin më të njohur filmi.
Tani 61 vjeçja Inger Nilsson jeton e lumtur nga kujtimet dhe momentet e personazhit të Çorapegjatës dhe mbetet përherë shumë e dashur për fëmijët. Libri i Astrid Lingren, seriali televiziv, filmat, shfaqjet teatrale mbi karakterin i Pipi Çorapegjatës prej krijimit të tyre e deri më sot kanë fituar vëmendjen e brezave të tërë dhe përfaqësojnë në mbarë botën momente të këndshme fëmijërore.
Historia e Pipit bashkë me bëmat e saj na mëson edhe sot e kësaj ditë t`i gëzohemi dhe ta duam jetën. Edhe pse shpesh na ndodh të bëhemi peng i përditshmërisë dinamike, diktuar enkas edhe nga vrulli i kohëve moderne.
Aktorja Inger Nilsson
Unë tani, pasi këtij shkrimi do shijoj një kafe me muzikë të lehte. Ashtu më ka mësuar Pipi këtu e sa vjet më përpara. /R. J./Portalb MK