Saimir Tahiri ka zgjedhur për të dytën herë që mesazhin e tij politik ta përcjellë përmes batutave të ish-shefit të tij. Pas “nuk keni parë gjë akoma”, ish-ministri i Punëve të Brendshme tha sot se “ nuk ka bir nëne e bir kurve ta pengojë për të bërë drejtësi”.
Edhe pse vetë deputeti nuk e ka pranuar drejtpërdrejtë se nënkupton një presion ndaj Ramës, në fakt si folklori ashtu edhe letërsia artistike ka mijëra batuta të tjera për t’u shprehur.
Në fakt, ka qenë kryeministri Edi Rama ai që guxoi edhe para zyrtares së lartë të BE-së, Federika Mogerini, që ta shprehë qartë pozicionin e tij. Një ditë përpara rikthimit të Saimir Tahirit në Kuvend, kreu i ekzekutivit tha se po pret një provë të vetme që ish-ministri i tij të quhet fajtor. Opozita që shpesh bie në qorrsokakët e Ramës, qoftë edhe për konsum politik të ditës, e cilësoi këtë deklaratë si një guxim të tepruar të Kryeministrit përpara Bashkimit Evropian. Për më tepër, Rama sipas opozitës, po flet në emër të Kryeprokurores Arta Marku.
Por përse i gjithë ky ping-pong mes Ramës dhe Tahirit? A i trembet vërtetë kryeministri mesazheve nga ai? Bota nuk ka njohur asnjë rast, qoftë edhe në politikë, që një vartës të fundosë shefin e tij. Situata mes të dyve është e qartë: Rama mbetet i bindur se ndaj ish-ministrit nuk ka prova serioze. Aq më tepër ato që vinin nga Prokuroria e Adriatik Llallës në formatin e thashethemeve. Nga ana tjetër, Saimir Tahiri po kërkon mbështetje të drejtpërdrejtë nga Edi Rama, duke bërë presion, siç i pëlqen medias dhe opozitës ta quajë.
Sot, Saimir Tahiri po pret drejtësinë me durim, siç tha ai vetë. Por rehabilitimi i tij në politikë është thuajse i pamundur. Kjo sepse drejtësia që po pret Saimir Tahiri, do të vijë nga sistemi gjyqësor shqiptar. Dhe opozita qysh në fillim e ka sulmuar zgjedhjen e njëanshme të Kryeprokurores, si dhe e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si një ‘kapje’ të gjyqësorit nga Rama. Pra, sado që të presë Saimir Tahiri, ai do të cilësohet sëpaku nga opozita sikur drejtësia e shumëpritur siç ai e dëshiron, i erdhi nga Rama.
Në vitin 2014, Edi Rama dhe Saimir Tahiri u përballën në një ping-pong të vërtetë, jo figurativ. Gjatë inspektimit të ambienteve të Zjarrfikësve Tiranë, Rama e mundi Tahirin.
Ai që fitoi atë ditë ndaj kryeministrit ishte Ardian Çipa, ish-drejtuesi i Policisë së Qarkut Tiranë. “Duket që gjatë gjithë kohës ka luajtur ping- pong”- tha Kryeministri në atë kohë për kreun e Policisë duke i bërë indirekt edhe një kritikë se nuk ka pasur mendjen te puna. Dhe Rama sot e ka pastruar policinë nga njerëzit e Tahirit.
Ping-Pongu është lojë e lodhshme, por që ka vetëm një fitues në fund./Nga Lajme.al