Pas lamtumirës së fundit për Maradonën është koha për të kërkuar përgjigjet për shumë dyshime rreth asaj që ka ndodhur orët e fundit. Shumë detaje nuk përkojnë me ndërtimin e fakteve nga policia dhe hetuesit pas dëshmive të mbledhura.
Por, duhen sqaruar edhe ato të ish-mjekut historik të legjendës argjentinase, Alfredo Cahe, i shprehur kundër modaliteteve të zgjedhura për ta ndihmuar pas daljes nga spitali, të cilat i quajti të papërshtatshme.
Ndryshe nga ajo që u mbështet fillimisht, në lidhje me momentin e vdekjes, Maradona nuk ishte zgjuar për të ngrënë mëngjes, por u gjet pa shenja jete nga psikologu dhe psikiatrja që kujdeseshin për të në shtëpi, rreth orës 11:30 mëngjesin e së mërkurës. Kur vdiq ekzaktësisht Maradona? Çfarë e provokoi vdekjen e tij? Dhe, mbi të gjitha, a u bë gjithçka e mundshme për ta shpëtuar?
ORA E VDEKJES – Dyshimet e para janë për orën e vdekjes. Mediat folën fillimisht për orën 12:00 (lokale), por hetuesit kanë hipotezuar se Maradona mund të ketë vdekur edhe në mëngjes, mes orës 6 dhe 7. Nga këtu, akuzat e para të avokatit Matias Morla, i cili ngriti dyshime se si askush gjatë natës nuk monitoroi situatën e tij.
Në të vërtetë, dëshmia e infermierit të turnit të asaj nate konfirmon hipotezën e parë: “E kontrollova në orën 6:30 përpara se të ndërroja turnin me kolegun dhe pacienti flinte, duke marrë frymë rregullisht”. Dyshimi tjetër i hedhur nga Morla ka të bëjë me ofrimin e ndihmës së parë: “Përse iu desh më shumë se gjysmë ore për të ardhur ambulancës? Është një idiotësi kriminale”.
Por, edhe kjo nuk ka fakte mbështetëse, sepse kërkesa për ndihmë e regjistruar në qendrën e urgjencës dhe orari i ardhjes së 12 ambulancave treguan se reagimi ishte i shpejtë. Mbetet për t’u sqaruar se pse u përhap lajmi se Maradona ishte zgjuar rreth orës 10:30 për të ngrënë mëngjes dhe ishte rikthyer në krevat pasi nuk ishte ndier mirë. Kjo është e pavërtetë. Ai nuk u zgjua kurrë atë mëngjes.
Të parët që i telefonuan urgjencës ishin psikologu dhe psikiatrja rreth orës 11:30, të cilët e gjetën pa shenja jete në dhomë. Por, përpara kësaj, ata i telefonuan një mjeku që jetonte qindra metra larg shtëpisë së Diegos. Ndërsa ai nxitonte të vinte, u telefonua urgjenca.
Në kohë të shkurtër erdhi ambulanca e parë dhe ndërsa nisi procedurën standarde të dhënies së ndihmës së parë, e cila kërkon 30-35 minuta, gjatë kësaj tentative të dështuar për ta sjellë në jetë, mbërritën edhe 11 ambulanca të tjera.
Por, për ta rikthyer Maradonën në jetë ishte tepër vonë. Dhe pastaj hetuesja Laura Kapra njoftoi ish-gruan e Diegos, Klaudia Vijafane, për t’i kërkuar të bëhej autopsia sepse ai vdiq i vetëm, pa praninë e askujt për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur. Në hetime po marrin pjesë 12 ekspertë dhe deri tani është konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte një infarkt kardiorespirator.
Në dhomën e Diegos janë gjetur mbetje ushqimi nga darka dhe disa ilaçe, mes të cilave psikofarmacike me recetë. Por hetimet janë përqendruar mbi të gjitha mbi mënyrën se si ai asistohej. Përse u la vetëm në dhomë gjatë gjithë natës dhe pse duke parë patologjinë e tij dhe faktin që vinte pas një ndërhyrjeje në kokë, nuk kishte një defribilator në shtëpi? Ndoshta mund të ishte shmangur më e keqja? Ndoshta Maradona ishte lënë në duar të gabuara për të disatën herë? Këtyre dyshimeve do t’u japin përgjigje hetimet.