Gjykata e Apelit të Larisës ka pezulluar gjykimin për një 42-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për vrasje me paramendim, lëndim të rrezikshëm trupor, përdorim arme dhe armëmbajtje në burg.
Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur më 20 mars 2015, në burgjet e Larisës, kur 42-vjeçari “për arsye nderi dhe hakmarrjeje” vrau një tjetër shqiptar duke marrë hak për një vrasje të ndodhur 20 vite më parë në Shqipëri.
Ai goditi me thikë për vdekje një 47-vjeçar për shkak se një pjesëtar i familjes i kishte vrarë dajën e tij në Shqipëri. Sipas informacioneve të gazetës “Eleftheria”, 42-vjeçari pasi vrau 47-vjeçarin, më pas ka plagosur rëndë një tjetër 46-vjeçar, gjithashtu shqiptar.
Në aktakuzë, përshkrimi i vrasjes nuk ka asgjë për të pasur zili nga skenarët e filmave aksion, për një vrasje të ndodhur vetëm tre ditë pas transferimit të 47-vjeçarit në burgun e Larisës.
42-vjeçari, pasi “e kishte vizituar në qeli”, kishte bërë gati planin për ta vrarë në një pikë “kyçe” të burgut, ku kamerat e sigurisë nuk arrinin ta filmonin.
Krimin ai e kreu me dy thika të improvizuara. 47-vjeçari “humbi ndjenjat nga goditjet e forta” dhe “ra në shkallët e gjera ndërmjet katit përdhes dhe katit të parë të burgut”, ndërsa mes pellgut të gjakut që e rrethonte, ai arriti të zvarritej për të kërkuar ndihmnë, por humbi jetën.
42-vjeçari dhjetë minuta më vonë me të njëjtat thika ka sulmuar dhe shqiptarin, teksa ndodhej në korridorin e qelive të paraburgimit të krahut C.
Të dy të plagosurit u transportuan në spital, por vetëm 46-vjeçari arriti të mbijetonte.