Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, Organizata e Veteranëve të LANÇ dhe Organizata e Dëshmorëve të Atdheut kanë shpërthyer në akuza të forta në adresë të binomit “Berisha-Meta”.
Ka qenë zoti Koçi, i cili nën cilësinë e kreut të Partisë Socialiste të Fierit ka shkruar në rrjetet sociale, se gjuha fyese e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është e denjë si ajo e fashistëve, që ishin pushtues. Madje, kreu i PS Fier ka komentuar edhe deklaratat dhe sulmet e presidentit Ilir Meta, për të cilin ka theksuar se ai ka denigruar Presidencën dhe se nuk kanë frikë prej tij.
“Partia Socialiste, Organizata e Veteranëve të LANÇ dhe Organizata e Dëshmorëve të Atdheut denoncojnë publikisht gjuhën Fashiste të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Grida Dumës. Ne dënojmë qëndrimet dhe fjalorin fashist të Sali Berishës ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit tonë gjatë Luftës II Botërore.
Këto qëndrime na kujtojnë rolin antishqiptar të Dick Martyt me akuzat ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu denoncojmë publikisht gjuhën fashiste të Presidentit aktual, Ilir Meta ndaj atyre që ai i konsideron kundërshtarë politike.
Ai nuk po mjaftohet vetëm me shkeljen e parimit kushtetues të përfaqësimit të unitetit kombëtar, por po e thellon denigrimin e pozicionit presidencial me krahinarizëm përçarës të kohezionit kombëtar, duke e shoqëruar retorikën publike me fjalor fashist ndaj qeverisë dhe Kryeministrit”, shkruan ai.
Ndërkohë, teksa hedh akuza edhe në adresë të ish-deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma, kreu i PS Fier, Petro Koçi shprehet se dyshja Berisha-Meta do të marrin përgjigjen dhe shuplakën në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 nga qytetarët shqiptarë. “Të papranueshme janë edhe klithmat fashiste të Grida Dumës në vërsuljen e saj pdiste ndaj përfaqësuesve të gazetarisë.
Ne mbetemi fort të angazhuar që kjo zëdhënie dhe kulturë fashistë të mos vijë kurrë në pushtet. Për PS Fier, Petro Koçi. Për Veteranët e LANÇ, Vasil Toska. Për familjet e Dëshmorëve të Atdheut, Sokrat Ikonomi”, nënvizoi zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.