Nga Anri Bala
Kisha harruar… po nuk të lenë këta të bësh të tilla gabime! Më kishte dal nga mendja koha kur, në çdo fillim janari apo përfundim të sezonit turistik, kur të niste flladi vjeshtor, do kishte zhvillime të mëdha nga ana e organit të akuzës, me arrestime të zyrtarëve të lartë të korruptuar, shkatërrime të familjeve “mafioze” dhe sekuestrim pronash e asetesh krimi-ndale!
Të tilla deklarata të forta, dukej sikur ishin një “presion” parapërgatitor, që po bënte Prokuroria ndaj zyrtarëve, mafias dhe grupeve kriminale… që nuk u kapën kurrë dhe ende sot, ne nuk e dimë akoma, se kush ishin e kush janë.
Më vjen të qesh… por më duhet të “qaj”, kur mendoj se sa e ulët ishte metoda e përdorur nga Prokuroria për të vendosur “gjoba”, duke përdorur median si “korrier”, për të gjithë ata që kishin shkelur ligjin, të cilët nëse i’a gjenin vendin “çantës dollarë”, mund të flinin rehat dhe të pashqetësuar, sepse bëheshin shpejt miq me “Maliqin”.
E teksa ne rrinim e prisnim, Maliqi numëronte paratë poshtë jorganit, duke u kthyer brenda natës në bej, me qindra hektarë prona, edhe pse e vetmja pasuri që kishte pasur në jetë, ishte qeraja e një dhome konvikti, por duke u pasuruar ai… ne varfëroheshim çdo ditë nga fjalori, duke na detyruar të fshijmë përgjithmonë prej tij, fjalët: fajtor, i pafajshëm, drejtësi!
Mos t’iu vij aspak keq për veten, se jeni mashtruar… sepse edhe shejtani kur i sheh këta, në fund qesh, se nuk i kishte vajtur ndërmend aspak, që do e hante dhe ai këtë rreng prej tyre. Por këtë metodë të shëmtuar, se gjoja do arrestojmë kriminelë së shpejti dhe po punojmë fort për ta bërë këtë, ndërkohë që vegjetohej… e hëngrën edhe amerikanët e zgjuar!
Ambasadorin e gjorë Donald Lu, kanë vite që e mashtrojnë dhe ja hedhin me të njejtën metodë, e të njejtin rreng, duke i premtuar, se ja tani… sot… në mos sot nesër… e tani… ka plot pafund, deri kur t’i arrestojnë! Ndërsa, ai i dehur nga entuziazmi… se erdhi drejtësia, del nëpër ekrane dhe na premton se në janar, shkurt, mars, prill ose maj…aj…aj…aj, prokuroria drejtësisë nuk do i’a ndaj! Ambasadori Lu, nuk është viktima e vetme e këtij megamashtrimi, i llojit: “Gënjej o gënjeshtar, deri sa gënjeshtra të bëhet mullar, e ne që besuam si dele… të hamë bar”!
Fatmirësisht, Fatmiri me fat, po na e pastron vendin, i bindur që bandat do bien vetë në rrjetë! Bile, do i telefonojnë për të lënë takim për orën, ditën dhe vendin e arrestimit! Por fatkeqësisht, Fatmiri i pafat, si ambasadori amerikan, e ka ngrënë edhe ai mashtrimin!
Mirëpo, për habinë time, kësaj here duke qenë se ai është “stekë e vjetër” dhe ka mendësi shqiptari, duhet të ishte pak më dyshues, ndaj më duket pak e habitshme, si e ka ngrënë karremin dhe kush i’a ngjiti sëmundjen e ëndrrës me sy hapur, ku Shqipëria do bëhet oazi i paqes dhe i qetësisë, duke hequr më të “zinjtë” e padrejtësisë, të kontrolluar nga të “murrmit” e drejtësisë.
Më ndjeni ju prokuror e gjyqtarë jo të zinj, por murracak, që jeni përzgjedhur në një mënyrë që asnjë shqiptarë nuk e kupton për të pastruar llumin… por jeni të pabesueshëm, se me ç’po dëgjojmë… lum si ne, e me ç’po shikojmë… mjerë si ne”! Ndaj siç duket, edhe Fati shpreson tek fati, duke thënë se: Do Zoti, nuk e kemi këtë fat… të zi! Vetëm se unë si gjithmonë jam mosbesues i pandreqshëm e kurioz i tmerrshëm, që nuk më zë gjumi pa pyetur:
Si mundet që ju të besoni, se në këtë vend do të bëhen arrestime, e do ketë drejtësi, kur ata që duhej të ishin xhelatët e krimit, janë engjëjt e tyre mbrojtës?!
Si mundet të mashtroheni, kur brenda prokurorisë dhe gjykatave, janë ende persekutorët… të palëvizur, të pashqetësuar, madje të dekoruar e ngritur në detyrë, atribute që i kanë marrë tani vonë?!
Kush ishte i pari që shpërndau virusin ngjitës mashtrues: “Do të kapim “peshq” sa nuk ka rrjet që i mbanë”?!
Vërtet dy ish bashkiak janë peshq të mëdhenj, që tani sapo kanë dalë nga uji, bashkë me dy zyrtarë të lartë të dyshuar?!
Vërtet zoti Lu, këto janë peshqit që na kishit premtuar?!
Nuk e besojmë kurrë, sepse kur na premtuat, këto peshq ishin larva, e sot janë taze, për tiganin që ne si popull kemi vënë në zjarr. Nëse vërtet, peshqit e mëdhenj janë këto… nuk i duam, ju bëfshin mirë dhe na fal që nuk jemi kuptuar, sepse peshqit tonë qenkan balena, e ato nuk i kap rrjeta juaj!
Na i kurseni konferencat publike me grupe të numëruara kriminale, sepse do na tmerroni kur të vijmë të pushojmë në Durrës, ku grupet kriminale që ju i dini, ushtrojnë aktivitetin e tyre, deri kur t’iu mbushet mendja ju… për t’i ndaluar!
Ky është një turp! Zoti Lu, bini dakord që mos të na dizinformoni ose gjeni mashtruesin që po na frikëson fëmijët, që mbyllen që në mesditë, se po vinë…tre bandat!/Tellalli