Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se nuk e njeh më Kyriakos Mitsotakis si kryeministër të Greqisë fqinje dhe ka paralajmëruar se nuk do të takohet me të në një samit të afërt.
Erdogan ka akuzuar kreun e qeverisë helene se është përpjekur të bllokojë blerjen e avionëve luftarakë amerikanë “F-16” nga Ankaraja gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka më asnjë person me emrin Mitsotakis në agjendën time”, ka deklaruar Erdogan për gazetarët, në përfundim të një mbledhjeje të kabinetit të tij.
Nga ana e saj, Athina zyrtare ka reaguar duke deklaruar se nuk do të përfshihet në atë që e ka quajtur ‘luftë deklaratash’.
Gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar, kryeministri grek i kërkoi Kongresit amerikan që të mos anulonte vendimin që ndalonte shitjen e avionëve luftarakë tek Turqia.
Administrata Biden po shqyrtonte shfuqizimin e vendimit, i marrë disa vite më parë kur Ankaraja bleu sistemet mbrojtëse ajrore ruse “S-400” nga Moska.
Në reagimin e tij, Erdogan e ka cilësuar këtë lëvizje si lobim kundër Turqisë dhe shkelje të marrëveshjes për të mos përfshirë palë të treta në çështjet turko-greke.
Presidenti turk e akuzon gjithashtu Greqinë, një vend aleat në NATO, për strehim të terroristëve dhe ka përsëritur disa herë se pranimi i Athinës në bllokun e sigurisë në vitin 1980 ka qenë një gabim.