Anëtarët e Gjykatës së Apelit refuzojnë të shqyrtojnë çështjen “Hajdari”. Ashtu siç gazeta “SOT’ e deklaroi që disa ditë më parë, dje janë dhënë sinjale të qartë se është duke u përgatitur një skenar nga Gjykata e Apelit për të bojkotuar këtë rast.
Në korrik u tërhoq relatori Shkëlqim Mustafa dhe çështja mbeti e bllokuar deri më tani. Por Apeli ka zgjedhur përmes shortit trupën e re gjyqësore, e cila përbëhet nga: Valdete Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi.
Në ditët në vijim do përcaktohet dhe data kur do mbahet seanca e parë. Por edhe pse duket sikur çështja ka hyrë në rrugë të drejtë, gazeta ka mësuar se që të tre gjyqtarët e mësipërm kanë bërë gati dorëheqjet njësoj si kolegu Mustafa. Arsyeja është po e njëjta: “Jemi në konflikt interesi”.
Gazeta e deklaroi që javë më parë se rasti i Haxhisë mund të shqyrtohet nga një trupë speciale gjyqtarësh, pasi anëtarët e Apelit janë kolegë me Fatmira Hajdarin, bashkëshorten e të ndjerit Azem Hajdari. Kjo e fundit është gjyqtare aty dhe ka qenë pjesë e trupave gjyqësore me të gjithë anëtarët. Sipas tyre, ky është konflikt interesi, pasi cenohet besueshmëria e procesit, duke qenë se kanë njohje me bashkëshorten e viktimës, për të cilën po gjykohet Izet Haxhia.
Por përtej kësaj, dyshimet janë se vetë gjyqtarët nuk e duan këtë çështje. Familja Hajdari ka pasur dhe një rast tjetër në Apel dhe procesi ka vijuar normalisht. Bëhet fjalë për një gjyq për çështje pronash në fund të vitit 2013 dhe në këtë vit Fatmira Hajdari ishte anëtare e Apelit, ndonëse kishte disa muaj që ishte emëruar.
Që kur Izet Haxhia u ekstradua në Tiranë, situata politike në vend u nxeh. Sali Berisha nisi sulmet ndaj kryeministrit, ndërkohë që socialistët paralajmëruan se Haxhia do jetë personi i parë me të cilin do nisë reforma në drejtësi dhe në këtë mënyrë do zbardhet dosja “Hajdari”.
Por duket se situata nuk po ecën sipas planeve, pasi këtë herë janë gjyqtarët ata që po refuzojnë të marrin në dorë çështjen. Apeli ka dy rrugë, ose të lërë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Izet Haxhinë, ose të kthejë për rishqyrtim në Shkallën e Parë. Për të dyja rastet do ketë debat dhe kështu që të gjithë duan të heqin dorë nga përgjegjësia.
Roli i KLD
Duke qenë se të gjithë anëtarët e Apelit refuzojnë të marrin në dorë dosjen e Izet Haxhisë, me shumë gjasë do të kërkohet ndihma e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gazeta e tha më herët që KLD mund të krijojë një trupë speciale gjyqtarësh dhe të delegohen për të shqyrtuar vetëm këtë rast.
Nëse dorëheqjet e 3 emrave të mësipërm pranohen, atëherë pritet që kreu i gjykatës t’i drejtohet me një shkresë KLD, e cila do të vendosë më pas për situatën. Nga ana tjetër, Izet Haxhia ka ngritur ditët e fundit shqetësimin se përse nuk po merret në pyetja nga prokuroria dhe pse nuk ka asnjë hetim mbi deklaratat e tij.
Por sipas juristëve, për fatin e tij do të vendosë vetëm Gjykata e Apelit. Nëse kjo e kthen për rishqyrtim dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kjo e fundit mund të kërkojë nga prokurori që të tërhiqen aktet dhe të ketë një hetim më të plotë. Por sinjalet janë se askush nuk është i interesuar për rastin dhe tani mbetet të shihet se si do të veprohet.
Kur të nisë gjyqi, pritet që të thirren 44 dëshmitarë dhe shpresat e Haxhisë janë pikërisht te rrëfimet e tyre./Kliti TOPALLI