Prej 16 ditësh kryeministri Edi Rama mungon plotësisht në komunikimin me publikun.
Shfaqjen e fundit në publik, ai e pati më 10 gusht teksa vizitoi rrugën në ndërtim, Delvinë-Kardhiq. Më herët ai kishte shkuar për disa ditë pushime familjare në vilën qeveritare në Dhërmi, të cila i mbylli më 10 gusht.
Pas asaj dite, z.Rama nuk ka dalë më në asnjë media përfshirë në rrjetet e tij sociale dhe ERTV.
Në vend të tij, në to publikohen postime të vazhdueshme, por në asnjë prej tyre nuk gjendet Edi Rama.
Edhe mbledhjet e qeverisë që vitet e kaluara mungonin vetëm një ose dy javë gjatë verës, nuk zhvillohen më prej 29 korrikut.
Që nga 10 gushti, ka patur 2 a 3 mesazhe të shkruara në Twitter, njëra prej tyre, në lidhje me krizën politike në Bjellorusi.
Bashkimi Europian i kërkoi Ramës të jetë negociator për bisedimet mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi, meqenëse si ministër i Jashtëm i dekretuar, ai është njëherësh edhe kryetar i radhës së Presidencës së OSBE për vitin 2020.
BE madje ofroi organizimin e këtyre negociatave që u tha se do të zhvilloheshin në Minsk, raporton noa.al.
Por kjo axhendë e z.Rama duket të ketë ngelur në rrugë qorre, përderisa Rama nuk po shfaqet gjëkundi prej kaq ditësh, diçka fort e rrallë për të, madje është hera e parë në shtatë vjet kryeministër, që ai mungon kaq gjatë në komunikimin publik.
Në këto kohë pandemie, janë shtuar zërat se infektimi me COVID-19 mund të mos ketë kursyer as z.Rama, por një gjë e tillë mbetet vetëm dyshim, sa kohë prej tij dhe zyrës së shtypit ka vetëm heshtje prej 16 ditësh. /noa.al/
Në foto: Rama në daljen e fundit deri sot, më 10 gusht