Mero Baze
Ilir Meta është takuar me Flamur Nokën për të diskutuar rreth formulës së bashkëpunimit opozitar dhe në pamje të parë ka lënë të kuptohet se debati është i hapur. Bëhet fjalë nëse deputetët e partisë së Metës do hyjnë tek lista e PD, apo do dalin me listë më vete.
Përtej shantazhit që Meta bën duke thënë se janë të interesuar për logon e tyre, Berisha i ka gjithë arsyet që Metën jo vetëm ta ketë në listë të sigurtë, por të jetë bashkë me të dhe disa besnikë të tij.
Arsyeja është e qartë.
Ky grup parlamentar që do të dali nga zgjedhjet e 2025 në opozitë, ka prioritet të jetë një grup besnik me Berishën, jo në raport me partinë, por në raport me betejat e Berishës me drejtësinë.
Në këtë aspekt, njeriu më i sigurtë pas Sali Berishës në këtë listë është Ilir Meta. Ai ka të njëjtat halle, të njëjtit precedentë dhe mbi të gjitha, pret të njëjtat dënime nga drejtësia, si Berisha.
Kështu që ata në një farë mënyre kanë lindur të jenë në një listë.
Ashtu siç janë bashkë në listën e SPAK dhe drejtësisë, ashtu duhet të jenë dhe në listën e zgjedhjeve.
Berisha shquhet për bujari në marrëveshjet elektorale në raport me aleatët, pasi ata i ka pas gjithmonë më të sigurtë se deputetët e vet. Fjala vjen Fatmir Mediu është për të më i sigurtë se Gaz Bardhi, Meta më i sigurtë se Boçi, apo Petraq Milo më i sigurtë se Gjekmarkaj. Për këtë arsye ai nuk do kursejë t’i fusë ata në listën e PD.
Problemin e vetëm që ka me Metën, është ai problem që ka dhe me me veten, që ai mund të procedohet penalisht pa filluar zgjedhjet dhe nuk do ketë nevojë të jetë në listë pasi nuk lejohet të kandidojë.
Kjo është e vetmja gjë që ja vështirëson Flamurit marrjen e një vendimi sot për sot. Ata bëjnë sikur mendohen të gjejnë modalitete për logon, që të dalin me emrin e tyre, por në fakt po presin të gjejnë një zgjidhje nga SPAKU, i cili me sa duket do të fshijë emrin e tyre, duke ja lehtësuar punën Flamurit dhe duke ja komplikuar Berishës gjetjen e një emri tjetër po kaq të ngjashëm me të në listë.
Si bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!