Nga Amarildo Pregapuca
Po flas për atë fenomenin “e pacipë” (dhe të vjetër sa bota), ku një mashkull shoqëron me sy një femër të panjohur në rrugë e “vesh” me shikim, teksa shkëmbehen apo e has diku. Apo ka ndaluar në një foto të hedhur, në Facebook apo Instagram dhe duket sikur po e skanon.
Atë fenomen i cili, ka sjellë dhe debate të ashpra në çifte, pasi në jo pak raste mashkulli e ka bërë këtë veprim dhe nën shoqërinë e gruas apo të dashurës dhe gjë që me të drejtë, ka sjellë dhe reagimin e saj.
Është ndjerë e fyer, e neglizhuar, e padëshiruar, etj. etj. mijëra gjëra që shkojnë në trurin e një femre, e që një Zot i di.
Ndërsa ne nga ana e jonë, kemi rrumbullakosur sytë në çudi, pasi nuk kemi parë asgjë të keqe në veprimin tonë, biles në shumë raste, s’e kemi ditur që vertet ka ndodhur.
Aq të çuditur ndjehemi nga fakti, sa shyqyr që njeriu i shkretë, ka mundësinë e pauzës për të menduar përgjigjjen, se nëse do të përgjigjej pa u menduar një mashkull ne atë moment, dialogu me siguri do kalonte çdo nivel të idiotësisë.
-S’ke turp që shikon të pasmet e gruas së botës dhe unë këtu ?
-Unë po i shikoja?! Ato po më shikonin moj dhe unë ktheva sytë.
Po çfarë fshihet vërtet në atë shikim dhe sa të fyera duhet të ndjehen femrat me të cilat kemi të bëjmë?
Jo në të gjitha herët, ai vështrim tregon se një mashkull ka interes erotik ndaj femres së cilës i ka hedhur vështrimin.
Biles studimet kanë vërtetuar, se është tepër tepër i vogël numri kur ky vështrim, tregon pikërisht këtë.
Studimet tregojnë, se mashkulli e sheh një femër të bukur apo tërheqëse, duke aktivizuar të njejtën hemisferë të trurit, me të cilën shikon një makinë të bukur, një ndërtesë interesante, një pikturë apo artin në tërësi.
Pra, për mashkullin femra është një art dhe në më të shumtën e rasteve, e shikon thjesht si një të tillë.
Përhumbet, e admiron, e shijon…qoftë figurën e saj, lëvizjet dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me të…pavarësisht moshës.
Kjo është dhe arsyeja se përse baballarët janë tepër “të dobët”, ndaj vajzave të tyre, nënës në shumë raste.
Kjo është arsyeja se përse fjala e një femre, mund të zbuse një grindje mes meshkujsh, mund të pushojë një luftë apo mund ta ndezë atë.
Kjo është aresyeja se përse bota evoluon apo dhe mund të shkatërrohet.
Ndaj nuk ka shumë vend për xhelozira të tepërta, është thjesht mënyra si jemi ndërtuar.
Natyrisht ju na shijoni po ashtu, ndoshta në një forme më të sofistikuar.