Ka ngjallur shumë debate fakti që Edi Rama vazhdoi sot me këmbëngulje “betejën” kundër emisionit të RAI 3, duke i akuzuar ata për racizëm, cektësi profesionale dhe të përdorur nga kundërshtarët e tij politik në Tiranë, apo të tjerë në kërkim nga drejtësia.
Ashtu si herën e parë kur këmbëngulja e tij për t’u ballafaquar zbuloi se RAI 3 kishte manipuluar me intervistën e patransmetuar të sekretarit të Përgjithshëm Agaçi apo vet deklaratat e Ramës, beteja e re, duket se e ka më praktik objektivin. Kërkon të identifikojë produktin e RAI 3 me Sali Berishën, Arben Ahmetaj dhe fake neës e shtypit shqiptar.
Për hir të së vërtetës, shpejtësia me të cilën kundërshtarët e Ramës, realizojnë objektivat e tij është për t’u përshëndetur. Nuk kaloi një orë nga sulmi i Ramës dhe Sali Berisha nuk duroi dot të provonte atë që tha Rama, duke i dalë zot RAI 3, madje dhe fotografisë së Edi Ramës, masakruar prej tij.
Po ashtu, vet Berisha dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij kanë dy ditë që i kërkojnë Arben Ahmetajt të bëhet “i penduar” dhe të vijë të rrëfejë “krimet” e Edi Ramës që ka parë me sytë e tij, me shpresë se ai do të bëhet viagra e tyre, dhe kështu pafuqia për të mundur Edi Ramën do të marrë fund.
Tani i gjithë spektri opozitar i Berishës, siç ndodh rëndom me ta, kanë shpresë të ditës emisionin e RAI 3 dhe Arben Ahmetajn.
I gjithë qëllimi i reagimit të Edi Ramës në fakt është vetëm ky, që t’i bëjë bashkë kundërshtarët e tij dhe t’i lërë si qese plehrash tek dera e RAI 3. Dhe për këtë ai ka fatin të gjejë gjithnjë mirëkuptimin e Berishës, që ja plotëson çdo kërkesë në kohë rrufe.
Qëllimi është qartazi për të ndarë politikisht opinionin publik lidhur me sulmin që vjen nga një medie me prapavijë politike kundër tij dhe kryeministres së Italisë, që konsiderohet mike e tij dhe Shqipërisë, dhe që viziton të mërkurën Shqipërinë.
Dhe e ndau më shpejt se sa e mendonte që ndahej.
Mjaftoi reagimi i tij që gjithë opozita e Berishës dhe Metës të shpallnin shpresë të tyre RAI 3 dhe ëndrrën që të kenë Arben Ahmetajn të penduar të drejtësisë. Disa madje kanë filluar t’i japin dhe udhëzime publike se si të veprojë, çfarë të thotë që t’ia falin dhe këta krimet, jo vetëm drejtësia.
Mundësisht të thotë fjala vjen që këtë vend e shpëton vetëm Argita.
Po t’i shtosh kësaj dhe ndjeshmërinë që krijon tek diaspora shqiptare, një sulm me nota raciste ndaj Shqipërisë, mbushur me fakte të cekëta, të palidhura dhe të pakonfirmuara, është e lehtë të kuptosh pse Edi Rama vazhdon betejën në baltë me RAI 3. E bën se është i sigurtë që Berisha nuk të lë kurrë në baltë, për marrëzi të tilla.