Nga Anri Bala
Ata u bënë deputet, se donte kryetari apo kryetarka! Por duke qenë shumë për nga mundësia, në listën familjare të “babës dhe nënës”, natyrisht nuk kishte vend për të gjithë. Disa qanë e disa qeshën, disa u strukën e disa u ngjeshën… duke ëndërruar, se në dasht perëndia, do vijë një ditë e bardhë edhe për ta, të bëhen dikushi si vëllezërit e motrat e tyre të së njëjtës mitre… nënës parti.
Ata që u zgjodhën ishin njëlloj si ato që nuk u zgjodhën… nuk i njihte askush, madje edhe nëna nuk ua dinte emrin, por ajo i mësoi si të lehnin, të hanin, të vidhnin e të qanin… për “barkthatët”, kur barku i tyre do dëndej, fryhej e shfryhej çdo ditë, nëpër gostira dhe orgjira… si përfaqësues të popullit.
I shkreti popull, që as nuk ju njihte e as nuk i’u kishte dëgjuar kurrë! Por i’u njohu nga ulërimat dhe britmat në “stallën” e Kuvendit, ku soji i atyre që hungërinin më shumë u bënë të famshëm… për bythëlëpirje, ndërsa atë që heshtën, për letërfshirje me përulësi të ballit të shefit nga djersa e punës së lodhshme… në karrige.
Janë aq të sigurtë për ndershmërinë e tyre, sa hajdutërinë dhe zullumet që kanë bërë, as që i mendojnë si të tilla, por si moral, aftësi, fat dhe begati… e rënë nga “qielli”. Mirëpo, sot janë egërsuar dhe tërbuar, frikësuar dhe shurruar nga pabesia e vëllezërve të së njejtës nënë, që i kishin harruar në qoshen e shtëpisë, andej nga fundi, si lypsarë të zgjebosur.
Çdo ditë i kemi parë tek i përmendnin si vëllezër e motra, e kurrë nuk deklaruan se ata ishin “kopila”, megjithëse me shumë prej tyre, në ditë të vështira e kishin ndarë plaçkën e grabitur.
Por sot, kohët ndryshuan…bijve të lënë nga fundi u erdhi radha të tregojnë se kush janë, e tu përgjigjen atyre që nuk na i njihkan për vëllezër e motra. Menjëherë i hipën karrigeve të tyre, tamam si vëllai për motrën dhe si motra për vëllain.
Për të përkëdhelurit e kryetarkës dhe kryetarit, kjo ishte një poshtërsi, tradhëti e sakrilegj, sepse nuk mund të shpërblehej kështu tallja që u kishin bërë listëfundorëve, e të zënë ngushtë mblodhën gjithë dallaveraxhinjtë e kryelistës, për t’i demaskuar si “kopila”.
Kopila?! Pak e besueshme duket, sepse të gjithë janë regjistruar siç regjjistrohet fëmija… me atësi, mëmësi, datëlindje, vendlindje… dhe parti.
A mund të më përgjigjet dikush, se përse duhet ta kesh emrin Lulzim, Monika, Klevis, Endrit, Kejda apo Ervin, që të quhesh përfaqësues i popullit… kur je një numër rrjeshtorë në listën e partisë?!
A mund të më thotë dikush, se çfarë ndryshon renditja për të qenë i mirë, i keq, i zoti, kopil apo… bir i vërtetë?!
Sigurisht asgjë…! Vetëm se duhet të jeni të sigurtë, që e hëngrët nga vëllezërit “kopila”. Kurse ju vëllezërit e kopilave, nuk ua ka fajin njeri se e kini nënën ku*vë… e përfundimisht nuk keni të drejtë të ankoheni, pse vëllezërit e mohuar ua lanë kopilin në derë si dhuratë, si dhuratë që vetë e kishit ngjizur e ujdisur…për mashtrim!
Mos u mërzisni, sepse ka edhe më keq dhe e keqja vjen kur se pret, atje nga vini ju… nga një derë e shenjestruar ku**ëlliku: Politika e maskarenjëve të pafytyrë, me kuklla që nuk përfaqësojnë akënd, por “kuplarapartitë” shqiptare!
Ndaj do të bënit mirë të heshtnit dhe të prisni gjykimin e popullit, që ju thoni se e përfaqësoni… në listë, se nuk i dihet pas qametit dhe tërmetit mund të shpëtoni diçka që është më mirë se asgjë…blozën që i’u ka mbuluar !/Ekskluzive.al