Policia e Dibrës ka arrestuar 12 persona, 39 të tjerë janë shpallur në kërkim, të cilët akuzohen se kanë sulmuar KZAZ nr. 19, në qytetin e Peshkopisë. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi më datë 28 qershor 2019 rreth orës 21:00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 19, e cila ndodhet në ambientet e palestrës së shkollës “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë. “Protestuesit kanë përdorur sende të forta, kapsolla he bomba molotov në drejtim të KZAZ-s, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim”, deklaron Policia.
Për këtë ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe 39 shtetas të tjerë .
Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, për veprat penale: “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik” dhe ‘’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, dënimi nga 5 deri në 15 vjet, Neni 236/2 dënimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet dhe Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet. Policia e Dibrës nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të implikuar. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe ka marrë të gjitha masat për të garantuar procesin zgjedhor, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ që përfshihet në aktivitet kriminal.