Armando Broja është padyshim futbollisti i momentit në kombëtaren shqiptare, pasi jo vetëm ka shënuar, por po tërheq vëmendjen edhe me performancën e tij në Premier League, ku vesh fanellën e Southamptonit.
Megjithatë kohët e fundit ka pasur edhe një “debat” mes energjisë së Brojës dhe pjekurisë së Rejës, që është komentuar jo pak, teksa së fundi tekniku italian u ankua për sjelljen e sulmuesit 20-vjeçar kuqezi.
“Diferencë e madhe në fakt mes një 76-vjeçari si Reja, me një 20-vjeçar si Broja, por unë kam vlerësime maksimale për të dy, nga pikëpamja sportive. Broja është një futbollist me talent, por nuk mund të themi ende që është një lojtar i madh, pasi i duhet akoma kohë dhe punë.
Ka potencial dhe mundësi, por të gjithë ne duhet të jemi pozitivë, për ta shtyrë të bëhet një futbollist i madh për veten e tij, ashtu si edhe për ne, pasi nuk na vijnë përditë talente të tillë. Ndihma që duhet t’i japim, është të jemi realë, dhe jo ta fërkojmë kur ai gabon. Të gjithë jemi njerëz që gabojmë, por kur vihen në dukje kritikat, është e rëndësishme t’i korrigjojmë ato dhe jo të reagojmë keq.
Kam shumë besim që ai do të na ndihmojë, siç do të na ndihmojnë edhe të gjithë të tjerët. Futbolli është një lojë kolektive dhe askush nuk mund ta marrë rezultatin i vetëm, ndaj duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo milimetër, ndaj një milimetër më shumë Broja dhe po aq më shumë Reja, për të shkuar në rrugën e duhur. Nuk ka debat, por thjesht kritika”, u shpreh presidenti i FSHF-së.