Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka kallëzuar penalisht në SPAK gjyqtarin e Tiranës Agron Zhukrin për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Dikur shofer në ambasada, Zhukri u bë gjyqtar dhe tashmë duket se po nxiton të mbyllë pazaret e fundit, deri kur t’i vijë dita e daljes para Vetingut.
Në kallëzim pretendohet se Zhukri po zvarrit qëllimisht një padi që nuk është në kompetencë të tij, por në kompetencë të Gjykatës Administrative.
Bëhet fjalë për padinë e përmbaruesve Fatos Alimadhi, Saimir Dogjani, Rrok Deda, të cilët kërkojnë shpalljen të pavlefshme të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Private të datës 24 shtator 2022, vetëm për sa i përket kryetarit Tedi Malaveci dhe disa anëtarëve.
Në kallëzim flitet për një CD me prova për një aferë korruptive të Zhukrit në raport me këtë çështje si dhe për pastrim parash me disa kompani.
Sipas burimeve, në CD është një përgjim i përmbaruesit famëkeq dhe burgaxhi Fatos Alimadhi, i cili shprehet se ka blerë me 50 mijë euro gjyqtarin Agron Zhukri, i cili dyshohet se ka fshehur disa shtëpi në Vjenë.
Ka dyshime të forta se Zhukri mund t’i ketë marrë paratë nisur edhe nga këmbëngulja e tij për të mos hequr dorë nga çështja që është në kompetencë të Gjykatës Administrative.
Përmbaruesi Fatos Alimadhi është një personazh i skeduar për skandale, shpërdorim detyre, veprime arbitrare dhe afera. Për herë të fundit është arrestuar në prill 2022 pasi u ka bllokoi llogaritë bankare familjarëve të një personi që kishte ndërruar jetë, madje pa i lajmëruar ata.
Në vitin 2015, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim përmbaruesin Fatos Alimadhi, i akuzuar për “Mashtrim” me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar rreth 45 milionë lekë disa shtetasve, të cilit kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.
Nuk dihet se si i shpëtoi ndëshkimit dhe se si ka arritur ta mbajë pozicionin e përmbaruesit. Fatos Alimadhi, i cili është vëllai i ballistit Adriatik Alimadhi është lakuar edhe për afera të tjera, duke shtuar kështu dyshimet për korruptim të Agron Zhukrit