Ajo quhet ndryshe “makineria e ditës së fundit të botës”, është një nëndetëse e telekomanduar bërthamore, më e reja e arsenalit bërthamor rus, dhe është e aftë të shkaktojë cuname me dallgë 91 metra të larta, mjaftueshëm sa për të zhdukur qytete të tëra bregdetare thonë disa ekspertë.
Ekspertët thonë se një bombë bërthamore nënujore prej 50 megatonësh do të mund të krijonte dallgë cunami deri në 97 metra të larta, ndërsa “Status-6” pretendohet të ketë një kokë bërthamore prej 100 megatonësh.
“Status-6” raportohet gjithashtu të ketë një rreze veprimi prej 6.200 miljesh (9.978 km), lëviz me shpejtësi maksimale 56 knots (103.7 km/h) dhe ka aftësi të mbajë koka bërthamore me rreze deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalimin e tij të 1 marsit, Putin tha se “drone”-i nënujor i shpejtësisë së lartë ka gjithashtu një rreze “ndërkontinentale” dhe është e aftë të mbajë një kokë bërthamore që mund të shënjestrojë njëherazi transportues avionësh dhe objektiva bregdetare.
Ai tha se gama e gjerë operacionale dhe shpejtësia e lartë e tij mund ta bënë atë imun ndaj interceptimit nga armiqtë, duke shtuar se “është thjesht i mrekullueshëm”.
Fizikani dhe studiuesi i armëve bërthamore, Rex Richardson i tha “Business Insider” se një kokë bërthamore e hedhur nga ky “drone” nënujor mund të shkatërrojë qytetet bregdetare.
“Një armë bërthamore me rendiment në rangun e 20-50 megatonëve pranë një vendi bregdetar do të çlironte mjaftueshëm energji sa për të shkaktuar një cunami të ngjashëm me atë të vitit 2011 në Japoni, ku mbetën të vdekur afro 16 mijë njerëz, e ndoshta edhe më shumë. Dallgët e cunamit mund të arrinin deri në 100 metra”, tha ai.
Richardson shton se, në rast se një bombë e tillë bërthamore nënujore do të hidhej pranë brigjeve detare të Shteteve të Bashkuara do të mund të shkaktonte dëme katastrofike ndaj qyteteve si Los Angeles apo San Diego, për shkak të shirave radioaktivë.
“Status-6” ishte vetëm njëra nga armët e reja bërthamore, që presidenti Putin zgjodhi të njoftonte e të konfirmonte se i kishin kaluar testet gjatë muajve të fundit. Në fjalimin e tij mbi gjendjen e kombit, Putin tha se arsenali përfshinte edhe një raketë “cruise” me mbushje bërthamore, një raketë të re hipersonike, si dhe tregoi pamjet video të lëshimit të një rakete balistike ndërkontinentale në një ekran gjigant pas tij.
Gjatë fjalimit, Putini tha se krijimi i armëve të reja e ka bërë sistemin e mbrojtjes antiraketore të NATO-s së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara “të padobishme”, duke nënkuptuar kështu fundin e asaj që ai e përshkroi si “përpjekje e Perëndimit për të dëmtuar zhvillimin e Rusisë”.