Analisti Frrok Çupi, ka nxjerr fakte tronditëse nga biografia sekrete e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Dje, në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur mbi deklaratat e Berishës që pretendon se është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania pa prova, ai tha se Berisha ka bashkëpunuar me personazhe si Damir Fazlliç, i cili ka paguar shuma të mëdha për terrorizmin në Britani e në Amerikë, siç edhe lexohet nga deklarata e shtetit britanik për Berishën.
Teksa foli për lëvizet e SPAK që tashmë po godet korrupsionin në nivel të lartë, sikundër është rasti i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ai tha se nuk i duket gëzim i madh dhe as trishtim.
I pyetur nëse ka ardhur koha që SPAK të godasë edhe djathtas, ai theksoi se nuk e beson këtë psikozë se drejtësia herë godet djathtas e herë majtas. Në fund për situatën në Kosovë ai tha se Albin Kurti është zgjatim i Sali Berishës.
-Zoti Çupi, ish-kryeministri Sali Berisha doli pak ditë më parë në një konferencë të posaçme për mediat, ndërsa këmbëngul se është shpallur “Non grata” nga SHBA-Britania e Madhe pa prova. Por nëse sheh me kujdes dosjen, Londra e ka futur në listën e zezë Sali Berishën, duke e akuzuar për korrupsion dhe pasurimin familjar, ku si shembull sillet historia e Damir Fazlliç, lidhjet e tij me krimin e organizuar, bandat e Elbasanit, skandali i firmave piramidale, por edhe përfitimet e vajzës së tij në kohën kur Berisha ishte në krye të qeverisë.
Madje këto i zbuloi vetë Berisha teksa publikoi versionin e tij për raportin e “Home Office”. Keni një koment dhe a kanë SHBA dhe Britania prova kundër Berishës?
Historia e Damir Fazllic është histori ndërkontinentale. Është krim i madh. Fazlliç është njeriu i Millosheviç i dërguar te Sali Berisha. Sllobodani kishte dy pika themelore me të cilat kontrollonte Sali Berishën. E para ishte vetë Sllobodanka (Liri Berisha) që u bë grua e Sali Berishës në një apartament të katit të parë prapa Spitalit të Tiranës.
Ai ishte vendi më i përshtatshëm për t’u strehuar një djalë tropojan, inferior, i sapo ardhur në Tiranë… Aty mund të bëheshin çfarëdo lloj takimi me të dërguarit nga Jugosllavia që në kohën kur Berisha ishte student.
Ju keni dëgjuar, si edhe botërisht është e njohur, se Sali Berisha u rekrutua shpejt nga UDB. Vajza e një familjeje me shtetësi serbe, Sllobodanka, u martua me Saliun në kushte krejt të pabarabarta kulturore. Saliu ishte i veshur me fanellë leshi edhe në ditën e fejesës me Lirinë, ndërsa vajza ishte pjesë e një familjeje shtetase e ish Jugosllavisë dhe mbesë e njërës nga eksponentët e shërbimeve sekrete jugosllave.
Por kjo nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte kapja e UDB përmes Sllobodankës. Përmes kësaj linje u krye gjithë terrori mbi 500 fabrika e uzina dhe mbi 700 shkolla menjëherë sapo Berisha erdhi në krye të PD dhe në vazhdim.
Kolona e dytë, më e fuqishme, ishte Damir Fazllic. Ky u shfaq bash në momentin kur Sllobodankës po i binin bateritë; Milloshevici nuk mund të mbështetej më mbi këtë faktor të vjetëruar. Damir Fazlliç u paketua pranë familjes Berisha si një agjent i frikshëm me mision për të shkatërruar ushtrinë dhe mbrojtjen shqiptare si dhe për të çuar në greminë marrëdhëniet me Perëndimin, fillimisht me Shtetet e Bashkuara.
Idhtarët e Berishës e paraqisnin si të afërt të Shtëpisë së Bardhë. Fazlliç ishte njeriu hije i Beogradit dhe Moskës. Ai asistonte mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ku edhe jepte tonin dhe merrte gjithë skemat e veprimit. Pasurimi i tij vazhdoi gjatë korrupsionit përmes Sali Berishës dhe vajzës së tij Argita.
Ky ka paguar shuma të mëdha për terrorizmin në Britani e në Amerikë, siç edhe lexohet nga deklarata e shtetit britanik për Berishën. Është shfaqur hapur në Tiranë menjëherë pas sulmeve terroriste mbi kullat binjake dhe Pentagonin, por ka vepruar këtu si i dërguar hije i Bin Laden dhe forcave të tij terroriste që stërviteshin në Dajt, në Kune, në Kavajë, etj.
Damir Fazlliç është njeriu i përshtatshëm, i sajuar për të shkaktuar terror në Ballkan dhe në vende të Europës: Gjysmë serb ortodoks, gjysmë mysliman bonjak; gjysmë biznesmen e gjysmë sekser; gjysmë në kërkim ndërkombëtar dhe gjysmë i mbrojtur nga qarqet terroriste rreth Berishës. Nuk thua se jemi me fat që kemi aleatë vendet e Perëndimin si Britani dhe Amerikë, ndryshe ju sot nuk do të mund kërkonit intervistë kundër të keqes së madhe.
-Si ju duket lëvizja e SPAK, e cila tashmë po godet korrupsionin në nivel të lartë, sikundër është rasti i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili tashmë rrezikon burg, pasi Prokuroria Speciale kërkon arrestimin e tij.
Nuk më duket gëzim i madh, as trishtim- sigurisht. Një gjë më bën përshtypje dhe më trondit: Si mund të mbijetojnë hajdutë të tillë, të shpallur botërisht, prej më shuma se dy dekada… Dhe ku mbijetojnë? Në krye të shtetit. Në krye të shtetit kishim edhe dy hajdutë të mëdhenj, Berishën e Metën.
Metaj, Ahmetaj dhe Berishaj janë enë komunikuese të korrupsionit. Tmerrohem se si këta ngjiten në krye duke shkelur me këmbë mijëra njerëz të ndershëm dhe të aftë për të menaxhuar shtetin. Këtë të enjte klani i Berishës tentoi të bllokojë punimet në Parlament, duke iu kthyer ëndrrës së vjetër që të bllokojë institucionet e shtetit duke shkaktuar kriza. Qëllimi është që të vonohet drejtësia ndaj tij dhe familjes së tij të korruptuar.
– A ka ardhur koha që SPAK të godasë edhe djathtas, pasi shohim që shumë zyrtarë të korruptuar po livadhis në lëmin e politikës pa ju hyri gjemb në këmbë? Dy prej tyre janë Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët janë dy ndër politikanët më të akuzuar si të përfshirë në pastrim parash, afera korruptive dhe kriminale…
Nuk e besoj këtë psikozë se Drejtësia herë korr djathtas e herë majtas. Drejtësia nuk është kosë me dy bishta. Po të ishte se Drejtësia- një herë majtas e njëherë djathtas, atëherë ‘puthuni me Milon’ se nuk ka më Drejtësi, njerëzit duhet të hanë njëri tjetrin. Por nuk është kështu.
-Ndërkohë një pyetje e kam për raportet Kosovë-Shqipëri, të cilat janë tejet të tensionuara. Ç’po ndodh mes kryeministrit Edi Rama dhe atij kosovar, Albin Kurti?
Nuk ka tension Kosovë- Shqipëri, ky është vetëm iluzioni që krijon një qeveri në Prishtinë që po pëlcet si minë. Qeveria Kurti është karikuar kundër Amerikës dhe kundër Europës, dhe natyrshëm kundër Shqipërisë që është vend i NATO-s, kandidate për në BE dhe aleate e afërt e Amerikës. Mos e mendojmë sikur në kombin tonë çdo gjë ‘shkon vaj’.
Edhe në historinë tonë kemi pasur klane me luhatje të mëdha ku të shkojmë, a në Lindjen e Mesme apo në Romë. Disa nga Rilindasit tanë më të ndritur kanë mundur të fitojnë, por edhe kanë humbur me përpjekjet e tyre. Orientimi kombëtar është gjithnjë ‘andej nga perëndon’, por shpesh tentojnë ta deformojnë.
Shoqëria politike komuniste ishte një celulë tipike anadollake, kundër Perëndimit. Pas kësaj, post- komunizmi, ishte një organizëm i fshehtë kinse perëndimor, por plotësisht Islamik. Sali Berisha e lidhi shtetin pas Konferencës Islamike dhe u mbylli derën të dërguarve të Shteteve të Bashkuara.
Sot Berishës i shkojnë pas një tufë njerëz që shpresojnë në lidhjen me Orientin. Këta janë bërthama e grupimit të parë shqiptar, haptas e publikisht si “Anti Amerikanë”. Kurti i Kosovës nuk është gjë tjetër, veçse zgjatim i Berishës komunist e Islamik. Po e rrënon Kosovën. Po e izolon. Po e varfëron.
Po e ndan nga aleatët e mëdhenj SHBA dhe BE. Po e telendis deri në pikën që askush nuk e beson më as shtetin e Kosovës, as biznesin e kosovarit, as të vërtetën që ka ndodhur në vuajtjet e Kosovës për shtet. Kosova nuk kthehet më kurrë në mirëbesimin e Perëndimit, as në prosperitetin e familjes perëndimore ku po e përfshinin SHBA dhe BE.
Kjo për hir të Albin Kurtit, i cili besoj se e ka strategji. Kjo po ndodh. Konflikti që ai krijon me Tiranën është thjesht se Tiranën e projekton si djallin që ka marrë anën e Amerikës dhe të Europës. Intervistoi: Rigels Seliman