Nga konferenca koordinuese, për stërvitjen “Defender 2023” ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.
Në fjalën e tij, ministri Niko Peleshi teksa siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për stërvitjen e radhës “Defender 2023”, tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e Defender. Ai theksoi, se stërvitje si këto tregojnë rëndësinë dhe angazhimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë rajonit.
“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë.
Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të politikës së zgjeruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj europianë si edhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë”, tha ai.
Ndër të tjera, ministri u shpreh, se stërvitja “Defender 2023” është një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik sa i përket sigurisë dhe paqes. “Defender 2023” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Europën”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ndërsa në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bajram Begaj u shpreh i sigurt se “Defender 2023”, përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t’u japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe mbrojtje