Nga Bledi Mane
U ka bërë lavazho truri, i mban peng në një apartament në Astir, u jep bukë me racion, me filozofinë e Marksit i mashtron, i lë pa larë si Che Guevara dhe i nxjerr natën të shkruajnë parulla nëpër mure si lulekuqsa. Porsi një sekt fetar pa bosht teologjik, i përdor në varësi të ofrimit apo aferimit të tij personal.
Një herë gjuajnë me vezë, një herë me salcë domateje, herën tjetër prishin bredhin e festave e nuk ngurojnë edhe të intimidojnë kalimtarin e rastësishëm në rrugë.
Janë 11 hallexhinj studentë me në krye kryehallexhiun pedagog të tyre Arlind Qorri që prej 10 vitesh kanë krijuar
“Organizatën e tyre Politike” por deri më tani kauzave të tyre meskine nuk u është bashkuar sikur edhe një fshat apo një lagje. I ka zgjedhur si kokrra misri ata më dembelët e më të varfërit, ua ka pirë atë pak lëng adoleshence që kishin dhe i ka përdorur aq keq e aq shpesh sa kur i shikon nga afër të dhimbsen. Të drobitur e të plakur në kulmin e moshës sē tyre, pavarësisht se zhurmojnë sa në oborrin e fakultetit apo në ushqimoren e lagjes, kurkund nuk ndjellin optimizëm apo refleksion.
Ndryshe nga qindra mijëra moshatarët e tyre që shkollohen, punojnë kamarierë, punojnë në call centres, hapin një biznes të vogël, emigrojnë, ndihmojnë familjet, argëtohen, dashurohen… këta 11 dembelë të verbuar nga cinizmi spërkatës i liderit të tyre shpirtëror e mendor na fanepsin atë copëz të vogël të Shqipërisë fundore që ka mbetur e mykur dhe e sprapsur nga koha.
Shqipëria që solidarizohet përgjatë fatkeqësive natyrore, që zhvillohet me kontributin e çdokujt, që ngrihet mbi plagët e politikës dhe shëron veten, paska vend edhe për grupime të tilla guerilase që flenë ditën dhe natën shkruajnë parrulla.
Kanë 10 vjet që buburojnë me maskat e idealizmit bolshevik dhe kësaj here kanë zgjedhur të sulmojnë e të protestojnë (fshehurazi si gjithmonë) biznesin, korporatat, punëdhënësit dhe taksapaguesit më të mëdhenj të vendit. E kur i shikon natën kur si skutha me kapuçë në kokë e fytyrë tek shkruajnë parrullat “Poshtë Oligarkët!”, të vjen tu shkosh aty afër, tua grisësh kapuçin, tua grisësh edhe hipokrizinë e injektuar dhe tu bërtasësh me të madhe:
-Oligarku më i madh është Mynyr Koni, rektori i universitetit tënd. Nëse ke bythë, shko protesto te zyra e tij sepse me lekët e tua që paguan shkollën ai as nuk të ngroh, as nuk po të rrit cilësinë e arsimit por vazhdon prej 4 vitesh të blejë makina të shtrenjta, organizon tendera fiktivë dhe vjedh lekët e tua!
Më fal, jo lekët e tua, lekët e prindërve të tu. Ti je dembel, ti nuk punon. Ti do mbetesh pa bukë, pa ujë, pa u larë, pa punë sepse të ka verbuar Arlind Qorri. Dhe verbimi mental është i rrezikshëm. I rrezikshëm për ju, jo për ne. Ne të tjerët japim prova duke punuar e duke u argëtuar çdo ditë!