Jo vetëm për të rinjtë por edhe ata që vazhdojnë të largohen nga Shqipëria..
Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga Shqipëria, por jo si në kohën e asaj marrëzie kolektive që pllakosi vendin në fillimin e viteve 1990, ose pas shembjes së firmave piramidale më 1997, që krijuan varfërinë, dëshpërimin dhe pasigurinë më të madhe në radhët e këtij populli, veçanërisht të rinisë.
Migrimi i njerëzve ka qenë e do të jetë një tipar i përhershëm i shoqërisë – nga kohët më të lashta e deri sa të mbetet këmbë njeriu mbi dhe. Shpesh herë, qeveria që drejton sot vendin akuzohet se po i nxit shqiptarët ta lenë vendin e tyre.
Një farë Petrit Vasili, shpeshherë në rolin e zëdhënësit të opozitës, deklaronte pak ditë më parë se “Edi Rama është armik i egër i integrimit dhe i vendit të tij, që e rrënoi imazhin e Shqipërisë dhe i bëri shqiptarët të ikin me mijëra nga vendi i tyre”. A duhen marrë vallë seriozisht akuza të tilla? Unë mendoj se jo. Jo sepse ato dalin nga goja e një njeriu, të cilin askush nuk e merr seriozisht, por sepse, akuza të tilla janë përtej asaj çfarë ka aftësi të kuptojë e të besojë mendja njerëzore. Shqiptarët nuk filluan të largohen nga vendi i tyre 5 vite më parë, kur Edi Rama u bë kryeministër. Eksodi i tyre nisi në kohën e Ramiz Alisë, vijoi në përmasa edhe më të mëdha në vitet e qeverisjes së Sali Berishës, nuk u ndërpre në kohën e qeverisë Nano, as më vonë, kur Berisha u rikthye për tetë vite në pushtet. Ku ka qenë Petrit Vasili tërë ato vite të shihte se ç’ndodhte nën hundën e tij? Nga cili planet ka zbritur kjo qenie që mendon se shqiptarët po largohen “me mijëra” në pesë vitet e qeverisjes se Edi Ramës dhe vetëm për shkak të tij?!
Petrit Vasili shkon edhe më tej, kur kërkon, në fillimin e mandatit të dytë të qeverisë Rama, që kryeministri aktual, i cili “humbi në mënyrë tragjike” përballë Europës, “të largohet sa më parë, si fajtori i vetëm që na la jashtë Europës, bashkë me idiotët që e rrethojnë”.
Ju jeni gazetar, por, më thoni, ju lutem, a do i besonit një njeriu të lajthitur si ky, që çdo ditë të javës, nga e hëna në të hënë, flet e shkruan në këtë mënyrë? Vasili dhe vasilër të tjerë, të cilët përfaqësojnë një pjesë të opozitës politike, janë një e keqe shumë më e madhe për këtë vend sesa qeveria që drejton vendin. Sepse, kjo qeveri, edhe nëse ka bërë e bën gabime, ka bërë edhe shumë punë të mira për këtë vend, por a mund të më thoni ju një gjë me vlerë që kanë bërë e bëjnë Petritët dhe Vasilët?