Nga Skënder Minxhozi
Lulzim Basha është munduar të bëjë të dielën një makijazh të vështirë politik të vetes dhe të linjës së tij politike, në një Kuvend Kombëtar ku zhurmonte qartë mungesa e kundërshtarëve të tij kryesorë Topalli, Patozi, Bregu, Bode e Imami etj. Prezenca e Eduard Selamit, i cili u fishkëllye pas kritikave ndaj Lulzim Bashës, vetëm sa dëshmoi ndarjen e thellë që është krijuar tashmë në partinë më të madhe të opozitës.
Ndryshimet statutore që miratoi Kuvendi Kombëtar, shihen gjerësisht si një konsolidim i mëtejshëm i pozitës statutore të kryetarit të partisë, përballë thellimit të mundshëm të krizës së brendshme politike në muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, prezenca e Sali Berishës në sallë, u përdor edhe një herë nga Basha për t’i shtuar kredibilitetin emrit dhe pozitës së tij në parti. Një rol që Berisha duket se vijon ta pranojë, qoftë edhe formalisht.
Megjithatë edhe ky kongres, si e gjithë sjellja politike e Partisë Demokratike që nga viti 2013, kur humbi pushtetin, vazhdon të mos flasë për elefantin në dhomë, por të merret me “ngjyrën e perdeve”. Nëse i bën një kronologji fare të përciptë historisë së kësaj force politike, do të vëresh se në asnjë moment PD nuk ka preferuar të shërojë, përmes ndërhyrjes së thellë kirurgjikale, por vetëm të qetësojë dhimbjet dhe simptomat e një sëmundjeje të vjetër kronike, nga e cila vuan të paktën prej një dekade. Dhe e cila e ka emrin mbyllje reale dhe e parevokueshme e ciklit të gjatë politik të Sali Berishës dhe të gjithë asaj që ai përfaqëson si filozofi drejtimi dhe sjelljeje ndaj partisë, pushtetit, ligjit dhe vetë shoqërisë.
Përpëlitjet e Lulzim Bashës në podiumet e kongreseve, konferencave të shtypit dhe parlament në vitet e fundit, janë vetëm pasoja, e jo shkaku, i krizës së vërtetë dhe të thellë që vijon të kalojë Partia Demokratike. Sepse modeli Berisha, që nuk ra kurrë “prej vërteti” nga vitrina e partisë, i ka sjellë dyzim, lëkundje, dhe dilema hamletiane një lideri të ri, pa përvojë dhe të katapultuar në kokën e partisë fill pas një humbjeje të thellë si ajo e verës 2013.
Prej asaj dite, Lulzim Basha është munduar të “kavërdiset” me vajin e paktë që ka pasur në dispozicion, nën vështrimin e egër të Berishës dhe nën hijen e rëndë të trashëgimisë së tij të gjatë. Edhe sot, kur duket Basha po fiton terren përfundimisht ndaj ish-liderit, ky avantazh i lodhur duket tashmë i tejkaluar dhe i kotë. Sepse PD, e bashkë me të edhe lidershipi i Lulzim Bashës, kanë mbërritur në pikën pa kthim, ku duket se qëndrimi në opozitë do të vijojë gjatë, por edhe kur vetë Berisha, megjithë thirrjet e grishjet e shumëkujt për rikthim, duket se ka kuptuar përfundimisht se një kthim pas do të ishte thjesht vetëvrasje.
Është ky kolaps pa zgjidhje, kjo tokë e djegur që rrethon poltronin e kryetarit të partisë, që i bën të kota edhe kongreset, edhe ndryshimet statutore, edhe nostalgjinë për ish-liderin historik, edhe vetë shpresat për ta parë së shpejti PD në pushtet.
Kongresi i së dielës ishte një ballo e dobët pa maska, ku palët kundërshtare i dinë dhe i njohin limitet e njëra-tjetrës, por dinë gjithashtu se kanë rënë në gjumin më të keq të imagjinueshëm. Prej nga vështirë se mund të zgjohen së afërmi.
Partia Demokratike krijoi një vonesë historike në raport me kundërshtarin e saj kryesor, PS. Teksa Nano linte realisht postin dhe Rama fillonte të bënte “autoshkollën” e tij në krye të partisë, 13 vjet më parë, PD shtrëngonte rradhët rreth Doktorit, duke ju gëzuar modelit të tij të fitores elektorale.
Në ato brohorima e festime të vitit 2005, duket se e ka zanafillën e vërtetë edhe kriza graduale e një partie që lindi nën zërin kumbues të Berishës, e rrezikon sot të shkojë poshtë e më poshtë, tani që zëri ra dhe lideri historik shpalli tërheqjen. Cikli reformues i munguar i kësaj partie, është ende shkaku i një lidershipi fals, pasuar nga marrëveshje si ajo e 18 majit, nga humbje si ajo e 25 qershorit dhe nga kongrese kallpe si ky i sotmi. PD vijon të mos dalë nga ëndrra e keqe ku ka rënë. Mungesa e një debati të vërtetë dhe me themel për nevojën e ndryshimit të filozofisë së drejtimit të partisë, e jo vetëm të zgjedhjes së një pasardhësi servil të Berishës, i dha këtë rrjedhë anormale dhe banale ngjarjeve në PD. Të gjithë ata që me vetëdije nënqeshnin me ironi kur u zgjodh Lulzim Basha, duke menduar se kishin futur në zyrë një “dezhurn” të Doktorit, sot duhet të paguajnë çmimin për mendjelehtësinë me të cilën e morën atë moment tejet delikat.
A do ta shpëtojë dot PD nga kjo krizë, një parti e re si ajo që përflitet se mund të lindë së afërmi nga kundërshtarët e Bashës?! Vështirë. Po më mirë një fillim i komplikuar sesa një fund i stërzgjatur. Edhe PS e filloi ciklin e ndryshimit të brezit të saj politik të viteve ’90, kur Ilir Meta Meta vendosi të krijojë LSI.