Për të dytën herë, formën e mosbindjes civile, opozita e përqendroi në bllokimin e rrugëve, në një protestë kombëtare në Tiranë. Për 3 orë, aq sa morën leje për zhvillimin e protestës, deputetët e Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë protestuan duke bllokuar qarkullimin në 5 kryqëzime kryesore të Tiranës, së bashku me një grup militantësh. Burime bëjnë me dije se deri më tani 44 protestues janë shoqëruar në polici.
Që në nisje, Flamur Noka, i cili drejtonte bllokimin e kryqëzimit të rrugës së Elbasanit me Parlamentin, sulmoi fizikisht efektivët e policisë. Protesta u shoqërua me përplasje dhe tensione të deputetëve me policinë tek Bashkia, Rruga e Elbasanit, Pallati me Shigjeta dhe sheshi Willson që kryesohej nga Gazment Bardhi. Aty, policia tentoi të shpërndajë turmën e protestuesve dhe të hapë qarkullimin për qytetarët e bllokuar në trafik, duke hedhur ujë e gaz lotsjellës.
Nga pamjet e Report Tv pjesëmarrja e mbështetësve duket e ulët, ndërsa janë deputetët të cilët prijnë dhe janë protagonistët në vetë të parë të përplasjeve e tensioneve me policinë të cilët u përpoqën të ndalonin bllokimin e rrugësve duke i paralajmëruar se po kryenin vepër penale. Deputetët e PD-së thanë se policia po përpiqet të ndalojë një të drejtë të tyre kushtetuese për të protestuar.
Megjithëse disa deputetë u ulën këmbëkryq në rrugë, vetë Bardhi i doli me trup para autobotit me ujë të policisë, e Tedi Blushi hipi sipër tij, kjo zonë e Tiranës, ishte pika e parë që policia çliroi trafikun.
Me rrugën hapur pas 2 orëve, Gazmend Bardhi, Tedi Blushi dhe Enno Bozdo i cili gjithashtu pati përplasje të forta me efektivët, të shfaqur vazhdimisht duke biseduar me mesazhe në telefon, iu bashkuan të tjerëve para Bashkisë së Tiranës. Por jo të gjithë e ndoqën. Para bashkisë përfunduan një pjesë e protestuesve.
Edhe atje më herët, policisë iu desh të hedhë ujë mbi protestuesit kur situata nisi të tensionohej. Në rrethrrotullimin e Zogut të Zi, që në nisje polici gjeti mundësinë të lërë hapur pjesërisht qarkullimin e automjeteve. Më e qetë situata u shfaq pranë Pallatit me Shigjeta.
Gjatë protestës dy qytetarë u ndjenë keq dhe u desh të shoqërohen në spital. Pa fjalime e pankarta dhe më një numër të paktë pjesëmarrësish, për më shumë se një orë, mosbindja civile qëndroi pa asnjë aksion, duke shfaqur tendencën për të kapur medoemos 3 orë bllokim saç kishin marrë leje në polici.