Partia Demokratike është rreshtuar dje hapur kundër negociatave me BE. Teksa na ndajnë dhe një javë nga vendimi që do të marrë Këshilli i Ministrave të BE, opozita dje ka nisur një sulm frontal kundër integrimit të vendit. Lulzim Basha, Sali Berisha, deputetë të PD dhe media pranë tyre kanë nisur konspiracionin lidhur me vendimin që do të marrin shtete e BE. Edhe pse deri më sot nuk ka asnjë vendim nga vendet skeptike, Basha dhe mediat pranë tij dje dolën hapur se Gjermania, Franca dhe Holanda nuk do të lejojnë hapjen e negociatave. Në seancën e djeshme parlamentare kreu demokrat deklaroi e Gjermania nuk do mbështes hapjen e negociatave. Madje ai pranoi që ka pasur kontakte me ndërkombëtarët, duke thënë se është informuar se nuk do ketë vendim pozitiv. Pak ditë më parë ishte Sali Berisha në Gjemani që loboi kundër negociatave, ndërkohë që Basha ka pasur një sërë vizitash dhe takimesh misterioze. “Edi Rama mbrëmë është informuar, sikundër jam informuar edhe unë, për një ngjarje të hidhur dhe me pasoja të tmerrshme për fatin e negociatave, për fatin e integrimit europian të Shqipërisë. Ai ka ardhur sot këtu të bëjë të paditurin, akoma më keq, të fshehë të vërtetën apo ta manipulojë atë përmes mediave të kapura prej gryke me favore, joshje, shantazhe qeveritare. Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit Franko-Gjerman dhe takimit Merkel-Makron, kristiandemokratët dhe kristiansocialistët gjermanë, aleatët, partia jonë simotër, anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe socialdemokratët gjermanë, aleatët dhe partia simotër e Partisë Socialiste dhe anëtarë të Partisë Socialiste Europiane, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes apo jo të negociatave për Shqipërinë. Zonja dhe zotërinj, ashtu si Edi Rama e di fare mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin”, deklaroi Lulzim Basha. Më tej kreu demokrat tregoi dhe një herë se PD ka lobuar fort kundër negociatave. Edhe pse rezoluta për të cilën ai foli në Parlament nuk është bërë publike, Basha e dinte përmbajtjen e saj. “Në këtë rezolutë e cila do të bëhet zyrtare, javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht dhe vetëm kushte por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale të blera e të korruptuara nga ai”, tha ai.
Opozita bashkë kundër negociatave
Ditët e fundit tregojnë se të gjithë janë bërë bashkë kundër negociatave në kampin opozitar. Berisha, Meta dhe Mediu ishin në Gjermani dhe atje mësohet se kanë luftuar kundër integrimit. Mësohet se ish-kryeministri në të gjitha takimet ka nxirë Shqipërinë. Kjo gjë u pranua prej tij dhe në një intervistë televizive të dhënë në media. Por përtej kësaj portalet, televizionet dhe gazetat pranë PD kanë filluar po ashtu diversionet. Edhe pse Gjermania, Franca dhe Holanda nuk kanë shprehur asnjë qëndrim, dje shumë prej tyre kanë mbajtur tituj kundër negociatave. Po ashtu dje Berisha ka folur hapur kundër negociatave. “Të dashur miq, burime të mirëinformuara nga Berlini bëjnë me dije se Bundestagu ka miratuar një dokument që do bëhet publik ditët e ardhshme, në të cilin hidhet poshtë kërkesa e Ramës për hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. Sipas këtij dokumenti të rëndë, dakord nga të gjitha grupet në parlamentin gjerman, kërkohet që Shqipëria para hapjes së negociatave duhet të plotësojë 10 kushte”, ka deklaruar Berisha. Po dje Basha ka dërguar në Berlin, Belind Këlliçin, kreun e FRPD. Ai ka pasur një sërë takimesh ku ka nxirë Shqipërinë dhe ka kërkuar të mos ketë hapje negociatash. Pra sa më shumë fron 28 qershori, aq më shumë rritet frika në radhët e opozitës./ Kliti Topalli