Biznesi i vogël ka ulur qepenat sot për dy orë, në shenjë proteste për taksat e rritura nga qeveria.
Por, përfshirja e deputetëve të PD-së dhe LSI-së ka shkaktuar një efekt boomerang.
Shumë tregtarë në Tiranë, kanë vendosur të mos i ulin qepenat, vetëm për shkak të politizimit të protestës së tyre.
Madje, disa deputetë, i kanë përzënë nga protesta e tyre.
Siç ishte rasti i Halim Kosovës.
“Çfarë do që vjen këtu? Ku ishit ju më përpara kur u rritën taksat”, i janë drejtuar tregtarët e Tregut Ushqimor deputetit demokrat, që është deturuar të largohet.
Përplasje ka pasur dhe me Aldo Bumçin, Florion Mimën e Jorida Tabakun, ndërsa deputeti i LSI-së, Brahimllari, është përplasur edhe fizikisht me tregtarët.
Por nuk ka qenë vetëm politizimi i protestës, ajo që ka shtyrë shumë tregtarë të mos ulin qepenat.
Shumë prej tyre kanë pasur edhe frikë nga tatimorët, ndaj nën zë thonë se nuk iu bashkuan protestës.
Në Lushnje p.sh, ndryshe nga qytetet e tjera, asnjë tregtar nuk e uli qepenin.
Tek tregu i Medresese në tiranë, një pjesë e bizneseve nuk i janë përgjigjur protestës.
“Disa tregtarë kanë replikuar me kryetarin e shoqatës së bizneseve të vogla me pretendimin se deri sot këto shoqata nuk e kanë mbrojtur biznesin e vogël” raporton Ora News.
As në “Rrugën e Kavajës” në Tiranës, shumë biznese nuk iu përgjigjën thirrje për të mbyllur qepenat. Pyetjes se përse nuk i mbyllën qepenat, tregtarët iu përgjigjën se nuk besojnë dhe nuk duan të përdoren politikisht.
Edhe në “Tregun Ushqimor” ku përzunë Halim Kosovën, tregtarët kanë qenë të ndarë./TemA