Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se nuk do ndalin protestat e tyre para Parlamentit. Pas djegies së mandateve, Basha dhe Kryemadhi kanë përdorur skenar destabilizues, ku kanë shkaktuar incidente të ndryshme. Deputeti i LSI, Endrit Braimllari paralajmëroi dje se protesta e radhës do të jetë në 13 prill, duke shtuar se çdo tubim kundër qeverisë ia ka arritur qëllimit.
Gjatë një interviste televizive, ai u shpreh se qytetarët do të shtohen më shumë në numër për shkak se keqqeverisja e Ramës po varfëron qytetarët.
“Kemi edhe një protestë me datë me datë 13 prill, që do të jetë përpara Kryeministrisë. Në këto kushte që ndodhet vendi, çdo protestë që bëhet, i realizon objektivat e veta, sepse qëllimi kryesor i qytetarëve që protestojnë ka të bëjë me qeverisjen e keqe që po bën Rama, me varfërinë që ka mbuluar vendin, me të rinjtë dhe të rejat që po largohen nga vendi.
500 mijë shqiptarë janë larguar, mungesa e një politike e cila krijon mundësinë e punësimit, arroganca e qeverisë dhe e këtij kryeministri. Pra janë një sërë faktorësh që bëjnë që qytetarët të jenë gjithmonë e më shumë të shumtë në numër për të protestuar kundër kësaj qeverie”, tha Endrit Braimllari.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili ka bërë thirrje për protestën e radhës, e cila do të mbahet në 13 prill. Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, ai akuzoi deputetët e rinj, duke thënë se ata janë blerë nga mazhoranca. Boçi tha se Parlamenti është ilegjitim, i mbushur sipas tij me hajdutë dhe kriminelë.
“Çdo ditë ne jemi në protestë dhe protesta e sotme është e radhës para parlamentit, një parlament që nuk e njohim, fals, i mbushur me hajdutë dhe kriminele, njerëz të papërgjegjshëm që pranojnë të përfaqësojnë popullin sipas mendimit të tyre. Nuk do të lejojmë të zhvillohet parlament i rregullt asnjëherë. Do të kulmojë në 13 prill, të shtunë në orën 18:00 një protestë mbarë kombëtare. Rama duhet ti thërrasë mendjes.
Protesta e sotme pritet të jetë e fuqishme. Më vjen keq, nuk kam asnjë koment. Është një maskaradë, një lojë e pisët e mazhorancës që kërkon të krijojë një opozitë false. Opozita ja ku është, janë qytetarët dhe nuk janë ata individë të blerë”, tha Boçi.