Ish-deputeti i PD-së, Halit Valteri foli mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Shqip’ edhe për të ardhmen që mendonte se do të ketë PD, për të cilën tha se ishte drejt shuarjes dhe tregoi edhe se çfarë mendonte për një aleancë Berisha-Meta në zgjedhjet e ardhshme.
Valteri tha se kjo aleancë kishte ekzistuar edhe më parë dhe nuk kishte mundur dot ta largonte Ramën ndaj nuk i dukej opsion fitues as tani.
“Sali Berisha dhe Ilir Meta i kanë marrë më shumë seç duhet këtij vendi aq shumë sa duhet të ishin larguar që para 10 vitesh. PD është drejt shuarjes së saj, do të shndërrohet në një grup militantësh që nuk largohen dot nga ajo se kudo që të shkojnë në forca të tjera politike ka boll si ata.
Zgjedhjet e ardhshme të 2025 do të tregojnë se janë zero shanset për të mundur mazhorancën e Ramës. Nuk e kam inat Berishën se me frymën e tij u rritëm në PD por është një gjykim i ftohtë nga jashtë.
Është keqardhje për PD sepse nuk është pronë as e Berishës, as e Bashës dhe e askujt. Aleanca e mundshme Berisha-Meta është gjë e kaluar dhe ka treguar që ka dështuar më parë sepse shqiptarët e kuptojnë shumë mirë që t’u besosh atyre do të thotë ta çosh vendin 20 vjet pas.”, u shpreh Valteri.