Partia Demokratike nuk pranon të jap konsensus sa i takon ligjeve të reformës në drejtësi. Dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla i bëri ftesë opozitës që të jap konsensus dhe të votojë në seancën plenare të 3 shtatorit ligjin për magjistratët që u propozua nga mazhoranca dhe që synon që t’i rikthejë kompetencat KLD-së për emërimin e gjyqtarëve deri në ngritjen e KLGJ dhe KLP. Por një ftesë e tillë nuk është pranuar nga demokratët, të cilët kanë pohuar se do të vijojnë t’i qëndrojnë besnik 7 kushteve të propozuara nga kreu demokrat gjatë 23 korrikut. Propozime ku mes të cilave kërkohet dhe shkarkimi nga detyra i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Në një reagim të dhënë për gazetën kreu i grupit parlamentar i PD, Edmond Spaho si dhe deputetët Tritan Shehu dhe Luçiano Boçi pohuan se dhënia e konsensusit do të thellonte akoma më shumë ngërçin në drejtësi. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, Partia Demokratike do të vijojë t’i qëndrojë 7 kushteve të propozuara nga Basha, duke lënë në nënkuptohet se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me socialistët. “I qëndrojmë 7 kushteve”, tha Edmond Spaho. Por në një linjë më të zgjeruar, deputeti demokrat Tritan Shehu, duke u ndalur tek propozimi i socialistëve, deklaroi se nuk mund të diskutohet vetëm një element që lidhet me pasojat negative që krijoi miratimi i 6 ligjeve jashtë konsensusit të rënë dakord kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Sipas Tritan Shehut e vetmja rrugë për të mos thelluar akoma më shumë ngërçin në drejtësi është ajo e ridiskutimit të 6 ligjeve të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese si dhe ribërja e tyre me konsensus. “Nuk mund të diskutohet vetëm një element që lidhet me pasojat negative që krijoi miratimi i 6 ligjeve jashtë konsensusit të rënë dakord kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Kjo do ta thellonte më shumë dëmin e krijuar. Rruga është: ridiskutimi i 6 ligjeve e ribërja e tyre me konsensus, dalja siç e kërkon kushtetuta e çështjes së Prokurorit Përgjithshëm. Pra kërkohet një rishikim i plotë e i gjerë mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese të bëra me konsensus dhe frymën e tyre”, deklaroi deputeti Tritan Shehu.
Boçi: 7 kushtet e PD do zgjidhin ngërçin
Deputeti demokrat Luçiano Boçi, duke qëndruar në të njëjtën linjë si dy kolegët e tij, theksoi për gazetën se 7 kushtet e propozuara nga Basha janë e vetmja rrugë që çojnë në ngritjen e institucioneve të reformës në drejtësi. Sipas Boçit çdo devijim tjetër si puna e ligjit për Shkollën e Magjistraturës që synon t’i jap kompetenca KLD-së e prokurorit të përkohshëm, do të çojë në deformime të pakorrigjueshme sistemin e drejtësisë. Deputeti Luçiano Boçi tha gjithashtu se përmes ligjit për magjistratët mazhoranca po tenton që të kap politikisht reformën në drejtësi. “7 kushtet e propozuara nga Basha janë rruga që çojnë në ngritjen e institucioneve të reformës në drejtësi parashikuar në ndryshimet kushtetuese të 23 korrikut. Kjo do të thotë krijim i KLGJ e KLP e më pas SPAK E BKH. Çdo devijim tjetër siç janë këto të ligjit për shkollën e magjistraturës që i japin kompetenca të pathëna KLD-së e Prokurorit të përkohshëm, çojnë në deformime të pakorrigjueshme e me pasoja të pariparueshme për sistemin, i cili po kapet progresivisht politikisht nga kjo maxhorancë”, u shpreh deputeti Luçiano Boçi. /Endri Arizi