Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi disa ditë më parë doli kundër përfshirjes së Mareglen Kasmit në listat e PS-së për deputetë, pasi sipas tij, kjo bie në kundërshtim me ligjin. Kasmim, sipas Këlliçit të PD-së, është anëtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve dhe se ligji e ndalon që një zyrtar i këtij institucioni të angazhohet me partitë politike.
Pas këtij qëndrimi ka reaguar Kasmi, i cili thekson se Kushtetuta nuk ia ndalon që të kandidojë dhe se konfliktim me institucionin do të ndiqet në momentin kur ai të përfshihet në listat e kandidatëve ose nëse ai zgjidhet si deputet pas 25 prillit.
Me anë të një postimi në Facebook, Kasmi shprehet se nuk është një anëtar i ndonjë partie. “Kodi Zgjedhor e përcakton qartë kohën kur një zyrtar duhet të ngrijë statusin e tij apo të japë dorëheqjen nga posti që mban në rast kandidimi. Kjo ndodh kur kandidati regjistrohet pranë KQZ-së si i tillë. Sikurse e kuptoni, nuk jemi në këto kushte”, shprehet Kasmi.
Postimi i plotë në Facebook
Te dashur miq,
Së pari, ju jam mirënjohës dhe ju falënderoj një për një te gjithëve ju që më uroni e inkurajoni.
Së dyti, duke konsideruar një qëndrim zyrtar të PD të shpërndarë dje në media, ku pretendohet se “kandidimi im bie ndesh me pozicionin si anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, i propozuar nga PS dhe zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, sqaroj se:
1. Kandidimi është e drejtë kushtetuese dhe askush nuk mund të privohet nga kjo e drejtë. Për më tepër, tani bëhet fjalë për një proces aplikimi të pa finalizuar dhe nuk bëhet ende fjalë për kandidaturë. Po ashtu, nuk jam anëtar i asnjë partie politike, çka më ndalohet me ligj në funksionin që kam.
2. Pjesëmarrja ime në procesin e përzgjedhjes nga PS nuk është angazhim politik, sikurse nuk po bëhet asnjë fushatë politike, çka do të binte ndesh me pozicionin tim si zyrtar i lartë në një institucion të pavarur, i cili nuk është pronë e asnjë grupimi politik apo social, por paguhet nga taksat e gjithë shqiptarëve.
3. Po ashtu, Kodi Zgjedhor e përcakton qartë kohën kur një zyrtar duhet të ngrijë statusin e tij apo të japë dorëheqjen nga posti që mban në rast kandidimi. Kjo ndodh kur kandidati regjistrohet pranë KQZ-së si i tillë. Sikurse e kuptoni, nuk jemi në këto kushte.
Populli thotë që “pema me kokrra gjuhet me gurë”, ndaj ju falënderoj përsëri për mbështetjen dhe të presim me durim hapat e mëtejshëm.