Shumica e deputetëve shqiptarë zotërojnë një pasuri që shkon në qindra mijëra euro. Ka nga ata që zotërojnë miliona euro pasuri, por ka dhe të tjerë me pasuri më të ulët, por që nuk dihet fare mirë se nga i kanë siguruar të ardhurat. Sipas llogaritjeve që ka bërë gazeta ”SOT”, pasuria totale e Bashës mund të llogaritet në rreth 718 mijë euro. Sipas deklarimeve të bëra në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive, Basha ka fituar 530.500 euro vetëm nga shitja e apartamenteve dhe e një makine.
Basha ka deklaruar fillimisht shtëpi në Utrecht, Holandë, 510.000 gulden ose rreth 230 mijë euro. Kjo shtëpi është shitur më pas 257.500 euro. Po ashtu ka deklaruar: apartament në Tiranë, 205 mijë USD; apartament në Durrës, 33 mijë euro; apartament në Tiranë. 17.500 lekë, blerë në 1993; apartament në Tiranë, 62 mijë USD dhe automjet “Mercedes-Benz ML”, 72 mijë euro. Më pas ka deklaruar se shitjen e një shtëpie në Tiranë 100 mijë euro.
Po ashtu është shitur një apartament në Golem, 45 mijë euro dhe me lekët e tij është blerë një apartament në Qerret. Bashkëshortja e Bashës ka shitur po ashtu një apartament me vlerë 10.450.000 lekë dhe një makinë me vlerë 45 mijë euro. Nga shitja e të gjithë këtyre objekteve, fitimi shkon në rreth 530 mijë euro. Por Basha ka deklaruar dhe unaza e orë të shtrenjta. Vetëm 2 orë dhe një unazë diamanti kushtojnë rreth 21 mijë euro. Ai ka deklaruar pikturë, 6.500 euro; orë dore, 5.200 euro; orë dore, 4.500 euro; unazë diamanti, 11.500 euro dhe një servis porcelani me vlerë 6.800 euro
Deklarimet vit pas viti
Pasi mori pushtetin, Berisha e emëroi ministër të Transportit Publik. Deklarimi i parë i pasurisë i Bashës është bërë pikërisht në këtë vit dhe bëhet fjalë për pasurinë e vitit 2004. Basha në atë kohë jetonte në Holandë dhe ishte pjesë e UMNIK. Ajo që bie në sy është pasuria shumë e lartë e deklaruar nga Basha. Përveç apartamenteve, Basha gjithashtu ka deklaruar troje në Tepelenë me sipërfaqe 22.100 m2.
Po ashtu Basha ka aksione në kompaninë më të madhe në botë të aksioneve, në NASDAQ, me vlerë 18 mijë USD. Gjithashtu Basha ka deklaruar depozita bankare me vlerë 52 mijë dollarë dhe 81 mijë euro. Po ashtu ka deklaruar një kredi prej 204 mijë euro dhe 81 mijë fitime nga puna në UMNIK. Në vitin 2005 Basha deklaron vetëm të ardhurat në komisionet parlamentare si deputet, ndërkohë që ajo që bie në sy është se edhe pse ka deklaruar disa apartamente, në 2006 rezulton të ketë paguar 4.800 euro për banesë. Po në këtë vit ka deklaruar pagën si ministër dhe pagën e bashkëshortes në vlerë rreth 49 mijë euro. Bashkëshortja e tij punon si drejtore programesh në një fondacion në Holandë dhe ka pasur shumë të ardhura.
Vetingu në politikë
Deri më tani procesi i vetingut ka sjellë shkarkimin e 21 gjyqtarëve dhe të prokurorëve që nuk justifikojnë pasurinë. Ka dhe shumë nga ata që janë shkarkuar vetëm për mosjustifikimin e 1 milionë lekëve. Por paradoksi është se Parlamenti shqiptar është shumë herë më i shtrenjtë se një pjesë e madhe e gjykatave dhe prokurorive. Mazhoranca ka premtuar se me ngritjen e SPAK, vetingu do prekë dhe politikanët. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.