Një nga dosjet që pritet të marrë drejtim gjatë vitit 2023, është edhe hetimi i privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani, atje ku sot janë ndërtuar pallate shumkatëshe.
SPAK po e heton këtë çështje prej 2 vitesh, e konfirmuar me anë të një përgjigje zyrtare për Euronews Albania.
“Në përgjigje të shkresës suaj datë 11.09.2022, ju informojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 287 të vitit 2020, për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pa emër personi nën hetim, të regjistruar.
Ky procedim penal është regjistruar, mbështetur në kallëzimin e paraqitur nga shtetasi Taulant Balla, në lidhje me procedurat e ndjekura për privatizimin e pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani” Tiranë. Aktualisht, çështja është në hetim dhe nuk mund te japim të dhëna të tjera në lidhje me hetimet e kryera”, thuhej në përgjigjen e SPAK.
Gjatë javëve të fundit të 2022-it, SPAK shtoi ritmin duke pyetur disa persona mes tyre ish ministrat e mbrojtjes, Fatmir Mediu e Gazmend Oketa, bashkë me ish-ministrin e ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Genc Ruli, ish zyrtarët e klubit sportiv Isa Tare e Afrim Tole si dhe ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të Forcave të Armatosura Vladimir Qirjazi.
Sipas juristëve, me gjithë kompleksitetin e çështjeve që heton SPAK-U, afatet mund të zvarriten.
Në kallëzimin e depozituar nga Taulant Balla akuzohen edhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, e ish-ministri i mbrojtjes, Arben Imami, për të cilët nuk dihet ende kur do merren në pyetje. Privatizimi i ish-kompleksit Partizani filloi në vitin 2008 dhe përfundoi në katër vite më vonë, në vitin 2012./m.j