Nga Anri Bala
Çdo ditë e më shumë që i afrohen karriges së pushtetit, qoftë për të siguruar sikurse vetëm një ndenjëse… ata po tjetërsohen, egërsohen, tërbohen dhe vetlavdërohen për ato që do të bëjnë, duke harruar ato që na kanë bërë!
Barra e mëkateve të tyre është aq e rëndë, sa nuk ekziston kandar që mund t’ua peshoj! Por, kur fsheh “thesin e mënxyrave” dhe shfaqesh para pasqyrës me duar në xhepa… i veshur, i kollarisur, i krehur, i bojallisur, i lyer, i zhgërryer… fillon të dehesh nga vetkënaqësia dhe harron të zezat që ke kryer… e natyrisht të duket vetja hero.
Mirëpo ajo është pasqyra e tyre, e kriminelit të majmur e të padënuar… sepse ekziston një tjetër pasqyrë: “Memorja kolektive”, pronë e një populli, që nuk mund t’i fshihesh as me rrobat më të bukura dhe as mund t’ia tjetërsosh, edhe sikur t’i dhurosh floririn e gjithë kësaj bote.
Kanë vrarë… kanë sharë… kanë grabitur e plaçkitur… dhe sot dalin e pëllasin se do na mbrojnë jetën… do na mbrojnë paratë dhe pronën… do na mbrojnë nga poshtërimi… pikërisht ata… ustallarët më të dalluar të këtyre veseve!
E dogjën, e gërryen, e shkatërruan, e masakruan… një Shqipëri të tërë, por sot pëllasin se na duan… se do na kthejnë gjithçka çfarë përvetësuan dhe e shitën… pikërisht tani, që nuk lanë më asgjë në këmbë, tani që nuk lanë asgjë për të ruajtur… tani betohen se do na i japin të gjitha!
E githë kjo lukuni çakejsh… ka të drejtë të qesh, leh e skërrmitet, sepse nuk ka luan në këtë vend! E atë që shqiptarët e zgjodhën nga halli, na qëlloi “luan i cofun”, që nga plakja jo vetëm nuk kafshon, por mezi po i mban edhe ato pak dhëmbë që i kanë mbetur në gojë.
Para se të provonte çorbën e prishur, edhe luani ulëriti me sa kishte në kokë, se sapo të merrte fronin e mbretit, këtë lukuni çakejsh do ta zhbënte dhe ndëshkonte… Por nuk qe e thenë! Sokëllima e luanit erdhi si fishkëllimë në veshin e çakenjve, e mjaftoi për të trembur një tufë laraskash andej këtej, që i kapi ndonjë “plumb qorr”.
Sot… tufa e çakenjëve jo që nuk u ndëshkua, por për fat të keq u forcua, u pasurua me këlysh të rinj pa din e iman, pa Zot e fe… por me dhëmbë të mprehtë për “atdheun”… për ta shqyer e copëtuar Shqipërinë në thela.
Një vrasës në turmë, një hajdut në turmë, një shitës trojesh, një klloun dhe marionetë politike, një tuf zagarësh që vrapojnë pas kockave… premtojnë se do bëjnë, atë që e shkatërruan me zell dhe pasion… Shqipërinë.
Zot na ruaj nga urrejtja që do na vërboi dhe mposht gjykimin!/Ekskluzive.al