Dy të akuzuarit për videopërgjimin e publikuar nga PD-së për vëllain e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pritet të dalin të martën para gjykatës për tu marrë në pyetje.
Fredi Alizoti që dyshohet se ka luajtur rolin e Agron Xhafajt dhe gazetari Jetmir Olldashi i akuzuar për moskallëzim krimi do të merren në pyetje nga togat e zeza.
I akuzuari tjetër i çështjes, Albert Veliu, ndodhet i arrestuar në Kosovë.
I pyetur për këtë çështje, deputeti demokrat Ervin Salianji si denoncues i rastit tha se ka pranuar të përballet me rrezikun për jetën e tij me qëllim denoncimin e trafiqeve.
Por a është në rrezik mandati i Salianjit dhe a është gati ai të hetohet?
Deputeti demokrat ka dhënë këtë përgjigje për Ora News.
“Unë jam gati për risqe fizike, jo kjo gjë është një banalitet për të cilin e kam marrë përsipër riskun.
E sigurt është që përballja me mafian nuk është e lehtë, sidomos kur mafia ka jo vetëm zë por ka përfaqësimin në nivelin më të lartë, te kryeministri”, tha Ervin Salianji.
Edhe pse përsërit shprehjen “nuk keni parë gjë akoma”, demokrati nuk heziton të tregojë që përballja me këtë situatë mund t’i rrezikojë atij edhe jetën.