Brenda javës, SPAK do e “kap për veshi” edhe plakun “non grata”/ Mbledhja, skedimi dhe njehsimi i këtyre provave shkresore që janë kërkuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, parashikohet të përfundojë brenda ditës së mërkurë datë 31 gusht, kur duhen paraqitur te shefi i SPAK për procedim të mëtejshëm.
Fillimi i hetimit nga shkresat zyrtare, është sinjal se brenda javës së parë të shtatorit, Berishës, Mediut, Imamit e Jamarbër Malltezit, do t’u dërgohet “letra” e paraqitjes në SPAK, për të dhënë dëshmi e sqarime si persona nën hetim
Pas kthimit të shefave të SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit nga takimi në DASH dhe “konsulenca” në FBI, u firmos urdhri për marrjen nën hetim të ish- Presidentit Ilir Metaj, duke e nisur nga Zyra e Gjendjes Civile me të dhënat personale, te KQZ për bilancet dhe te 12 bankat, fondet e llojit “Besa”, “IuteCredit” e agjencitë e transfertave.
Pas nisjes së hetimit për Ilir Metajn, “Pamfleti” ka mësuar se SPAK ka filluar veprimet konkrete dhe për Procedimin Penal nr. 287, datë 1.12.2020, me objekt hetimin e grabitjes së kompleksit “Partizani” gjatë pushtetit të PD, nëpërmjet privatizimit me letra pronësie të falsifikuara.
Për të mbledhur provat shkresore zyrtare, nga dita e enjte 25 gusht 2022, Byroja Kombëtare e Hetimit, me urdhër të SPAK, ka zbarkuar te Ministria e Ekonomisë dhe te Ministria e Mbrojtjes, për të sekuestruar dokumentet me të cilat u vendos dhe realizua shitja e kompleksit “Partizani”.
Objekt i këtij hetimi është zinxhiri i veprimeve shkresore zyrtare false, bërë nga kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Arkiva e Shtetit, Agjencia e Kthim-Kompensimit të Pronave, Agjencia e Privatizimit, Hipoteka e deri te përfaqësuesi i përfituesve zhvatës.
Ndërsa subjekt hetimi janë personat urdhërues: Ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-ministrat Fatmir Mediu, Arben Imami, Genc Ruli e Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, që dorëzoi letra arkivore pronësore false në institucione.
Sipas informacionit, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kërkuar këto dokumente nga këto 2 ministri:
– Shkresën Nr. 280/1, datë 31.10. 2005 të Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, me objekt: Propozim për privatizimin e Kompleksit “Partizani”.
– Shkresë-Përgjigjen Nr. 9549, datë 14.11.2005 të ministrit Fatmir Mediu, kthyer ministrit Genc Ruli, me objekt: “Pranimin e propozim- kërkesës për heqjen e kompleksit “Partizani” me sipërfaqe 33 mijë m2, nga inventari pronave të ushtrisë dhe privatizimin e tij.
– Shkresat Nr. 638/2, Nr. 638/3 e Nr. 638/4, datë 29.08.2007, që Bamir Topi, 1 muaj pas marrjes së detyrës, i ka dërguar kryeministrit Berisha dhe ministrave Mediu e Ruli, që kompleksi “Partizani” hiqej nga “Plani i përhapjes Ushtarake”, për efekt privatizimi sipas kërkesë së tyre.
– Urdhrin Nr. 50/1, datë 3.09.2007 të ministrit Genc Ruli, për miratimin e privatizimit të kompleksit.
– Shkresat që Gjeneral Vladimir Qirjazi i ka dërguar ministrit Mediu, kryeministrit Berisha e presidentit Topi, me refuzimin e privatizimit, si akt i paligjshëm e me letra pronësie false.
– Listën e përfituesve të truallit të kompleksit “Partizani” dhe dosjen e paraqitur prej tyre, si ish-pronarë trashëgimtarë, ku në numrin 22 është edhe emri i Jamarbër Malltezit, i cili kishte 1/64 pjesë të 33 mijë m2, ndërsa 1 javë pas privatizimit rezultoi pronar me 35% të sipërfaqes.
Mbledhja, skedimi dhe njehsimi i këtyre provave shkresore që janë kërkuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, parashikohet të përfundojë brenda ditës së mërkurë datë 31 gusht, kur duhen paraqitur te shefi i SPAK.
Pas letrave zyrtare, brenda javës së parë të shtatorit, pritet që SPAK do t’u dërgojë “letrën” e paraqitjes Berishës, Mediut, Imamit e Jamarbër Malltezit, për të dhënë sqarime./Pamfleti