Lulzim Basha duket se do të vazhdojë të angazhohet në skenën politike shqiptare. Këtë fundjave ish-lideri i PD në vitet 2013-2022 u takua me disa anëtarë demokratë në Ndroq.
Sipas informacioneve, Basha ka pritur dhe disa kryetarë të degëve të PD në Shqipëri. Por jo vetëm kaq, pasi ish-lideri i opozitës po përgatitet të zhvillojë një tur takimesh nëpër Shqipëri me anëtarë dhe simpatizantë demokratë. Dje ishte dalja e parë publike për Bashën që pasi dha dorëheqjen nga lidershipi i PD në 22 mars 2022.
Në fjalën e tij të fundit si lider i PD, Basha premtoi se do të vazhdojë të kontribuojë për bashkimin e partisë më të madhe opozitare dhe ngjitjen e saj në pushtet. Ende nuk dihet nëse kjo është një përpjekje për të krijuar një fraksion apo forcë të re politike të djathtë ose një “kryengritje” kundër marrjes së PD nga Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha do të ketë selinë e tij larg godinës së PD. Ish-kreu i demokratëve do të vendoset në rrugën “Abdi Toptani”, pranë qendrës tregtare “Torre Drin”. Basha do të jetë pranë zyrave të ish-deputetit të PD, Endri Hasa. Këto lëvizje krijojnë bindjen se ish-lideri i opozitës do të tentojë të jetë pjesë e rëndësishme e jetës politike në Shqipëri.
Berisha urdhëron heqjen e dyerve të blinduara në PD
Nga ana tjetër dje Komisioni i Rithemelimit të PD urdhëroi heqjen e dyerve të blinduara në hyrje dhe brendësi të godinës së partisë më të madhe opozitare. Ditën e djeshme, punonjësit arritën të heqin dyert e përforcuara me mburojë metalike nga selia blu si dhe u hoqën veshjet e dyerve me letrat adezive “Zgjedhim të ardhmen”, duke iu mundësuar kështu Berishës dhe ithtarëve të tij që të marrin nën kontroll godinën blu.
Ndërkohë ditën e premte, ish-kryeministri Sali Berisha u fut në brendësi të ndërtesës së PD pa probleme pasi Gjykata e Tiranës regjistroi ndryshimet e statutit të PD, të miratuara nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021. Ish-lideri historik i demokratëve, i cili ka konfirmuar ambicien për të drejtuar sërish partinë, deklaroi mbrëmjen e së premtes se në mbledhjen e asaj dite të Komisionit të Rithemelimit të PD u morën vendime për riorganizimin e partisë të dytë më të madhe në Shqipëri.
Nga ana tjetër, PD zyrtare kallëzoi në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri, i cili legjitimoi ndryshimet statutore të PD sipas Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Selia blu pretendon se Zhukri ka shkelur procedurat duke mos pritur vendimin e Gjykatës së Tiranës për të gjitha kërkesat e saj lidhur me ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut 2021, të thirrur nga Basha.
Në kërkesën e depozituar në SPAK nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, pretendohet se gjyqtari Agron Zhukri nuk ka njoftuar selinë blu për seancën e së premtes. Partia më e madhe opozitare thelloi akuzat ndaj Zhukrit duke pretenduar se ky i fundit është takuar me një anëtar të Komisionit të Rithemelimit të PD para seancës së të premtes.