Sa më shpejt që Shqipëria po i ngjit shkallët në rang listën botërore, për vaksinimin masiv të popullsisë, aq më shumë po tërbohen liderët e opozitës sonë.
Sepse besojnë se realizimi nga sistemi shëndetësor i këtij procesi, që imunizon popullsinë nga pasojat e virusit vrasës covid-19, mund të sjellë suksesin e mazhorancës në zgjedhjet e 25 prillit.
Flamurin e opozitës për këtë, e mban Sali Berisha i cili po bën gjithçka, për të shpërndarë lajme të rreme, përhapur panik, krijuar ankth, makth dhe frikë me një çështje që ka të bëjë me jetën e gjithësecilit prej qytetarëve të këtij vendi. Deri dje shpërndante “fake news” për vdekjet nga pandemia. Tani për procesin e vaksinimit masiv të popullsisë, duke u fokusuar tek vaksina kineze. Siç do bënte me çdo lloj vaksine, që do përbënte sasinë më të madhe, të siguruar nga qeveria.
“Lideri historik i PD”, është mjek dhe e ka bërë “Betimin e Hipokratit” ku ka “premtuar solemnisht se jetën do ta vë në shërbim të humanitetit”. Por jeta e Sali Berishës ka kohë që është vetëm politika. Prej 30 vjetësh me radhë, ai ka dëshmuar se kur është puna për pushtetin personal, është në gjendje të bëjë gjithçka makiaveliste për tia arritur qëllimeve të tij.
Çdo ditë Sali Berisha përhap lajme të rreme, nga facebook-u i tij, si ajo e sotmja: “Ndërlikime të rënda nga vaksinat. Ato fshihen me urdhër të xhahilit të Surrelit. Rastësisht isha te Ambulanca e Laprakës ku erdhën tre mësues në gjendje shumë të rëndë nga vaksina e Edvinit, i futën direkt në oksigjen”.
Vetëm mund ta imagjinoni sesi ambulanca e një lagjeje periferike, është aq moderne, sa ka kapacitetin të fusi direkt në oksigjen tre qytetarë njëherësh. Por më e rëndësishme se kjo, është diçka tjetër. Sali Berisha është ndër ata liderë, që ka mbijetuar përmes përhapjes së psikozës së frikës tek shqiptarët.
Ai e di shumë më mirë se kushdo tjetër se vaksina kineze, ashtu edhe ajo ruse, pa llogaritur ato perendimore janë të gjitha efektive. Sikundër di shumë mirë, edhe disa nga efektet post vaksinim, që kalon në 2-3 ditët e para trupi i njeriut. Por, kur vjen puna për interesat e tij politikë, Sali Berisha ka dëshmuar se është gati të bëjë, edhe pakt me djallin edhe shejtan budallain, vetëm e vetëm për të sabotuar kundërshtarin dhe për të mbajtur me oksigjen elektoral mbështetësit e tij.
Dikush duhet ti thotë se edhe Presidenti i Truqisë, Erdogan edhe ai i Serbisë, Vuçiç edhe kryeministri i Hungarisë, Orban e shumë udhehqës të tjerë të rëndësishëm rajonalë, të BE dhe botërorë, kanë marë vaksinën kineze. Askush prej tyre nuk ka pësuar asgjë, e as nuk mendohet se do tu ndodhë diçka e keqe. Sepse nëse do ishte ndryshe, ata kanë aq pushtet, sa të bëjnë çfarëdolloj vaksine që do të dëshironin.
Ironia është se Sali Berisha e ka nisur karrierën politike, duke u bërë anëtar e më pas Sekretar i Partisë së Punës, në kulmin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në vitet ’70. Për fatin e vetes dhe të botës, Kina në këto 50 vjet ka ndryshuar aq shumë, sa Sali Berisha duket edhe më komunist se atëherë. Jepini edhe atij një vaksinë, se mbase e bën të ndihet edhe ai, pjesë e klubit të liderëve botërorë që e kanë marë atë! /Alpenews.al