Kuvendi pritet që të shkrijë sot Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe do të ngrejë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Bëhet fjalë për një ligj që ndryshon strukturën e kontrollit policor, ndërsa drafti është hartuar nga Amerika.
Sipas raportit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kanë qenë ekspertët e ICITAP, ata të cilët e kanë iniciuar këtë nismë. Në raport thuhet, se qëllimi i projektligjit është krijimi i një strukture profesionale e cila do të bëjë të mundur mbikëqyrjen e veprimtarisë policore.
Po ashtu, ligji përcakton edhe detyrat dhe të drejtat e Agjencisë. “Projektligji ka për qëllim krijimin e një strukture profesionale, transparente dhe të paanshme për mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve që parashikon ky ligj. Projektligji përcakton misionin, organizimin, funksionimin, detyrat, të drejtat dhe statusin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në Ministrinë e Brendshme, si dhe rregullon veprimtarinë, marrëdhëniet e punës, garantimin e karrierës, mirëqenies dhe vazhdimësisë në detyrë të punonjësit të saj”, thuhet në raport.
Gjithashtu, në raport thuhet, se me propozimet e këtij projektligji synohet të zgjerohet dukshëm objekti i veprimtarisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke përfshirë edhe vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve, veprimtarinë për pajisjen me certifikatë të sigurimit të personelit të punonjësve të strukturave shtetërore si dhe operatorëve ekonomikë privatë, procesin e hetimit disiplinor të subjekteve po ashtu edhe kryerjen e ekzaminimit poligrafik për rekrutimin e personelit.
Veprimtaria inspektuese e agjencisë
Ndërkohë, sa i përket veprimtarisë inspektuese në raport thuhet se do të kryhet nga njësia inspektuese e Agjencisë nëpërmjet verifikimit dhe këqyrjes. Po ashtu, theksohet se hetimi duhet që të jetë i paanshëm dhe sa më profesional, ndërsa përfundimet e inspektimit si dhe rekomandimet për vendimmarrje i referohen për kompetencë drejtuesve të strukturave.
“Agjencia kryen veprimtari inspektuese në përputhje me këtë ligj, Kodin e Procedurave Administrative dhe me aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi. Veprimtaria inspektuese ushtrohet nga njësia inspektuese e Agjencisë nëpërmjet formave të ndryshme të kontrollit: këqyrjes, verifikimit, intervistimit dhe mjete të tjera për kërkimin e provës gjatë procesit të hetimit administrativ.
Njësia inspektuese kryen çdo veprim të nevojshëm pranë subjekteve që inspekton, për t’u siguruar që inspektimi është kryer në mënyrë profesionale, transparente e të paanshme”, thuhet në raport. Po ashtu, theksohet se sipas rekomandimeve të ekspertëve të programit të ICITAP-it, si dhe standardeve të EPACut, strukturat që mbikëqyr Agjencia janë në konflikt të hapur interesi, nëse ankesat apo shkeljet që konstatohen nga Agjencia do të hetoheshin nga vetë strukturat ku janë me detyrë subjektet.