Duket se në opozitë ka plasur sherri, ndërsa aletatët tradicionalë të Partisë Demorkatike janë hedhur kundër primarëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Një nga aleatët tradicional të PD, që është kundër primareve të Berishës është Dashamir Shehi. Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtari rrëzoi këtë ide duke thënë se gara në vitin 2023 nuk është për të gjetur shefin e opozitës, por për ti dhënë qytetarëve kryetarë bashkie të denjë. “I kam dëgjuar këto për primarët, por nuk vlejnë. Nuk jemi në garë se kush është shefi i partisë. Ne duhet të jemi me një kandidat, s’mund të jemi të ndarë, kjo do i bënte qejfin Ramës. Duhet ta vendosim bashkërisht se cilët do jenë kandidatët tanë për kryetar bashkie.
Garën Brenda vetes e lëmë tek gara për Këshillat Bashkiak. Kush të jetë më i miri ta mbështesim të gjithë, si në Itali”, thotë ai. Për Shehin, thelbësore në këtë moment të politikës është fati i Reformës Territoriale, ku sipas tij, duhet më shumë kohë e vullnet politikë për një produkt konkret. “Nuk është çështje tre javësh, duhet më shumë kohë. Duhet vullnet nga të dyja anët për të arritur një produkt konkretë. Rama thotë se do jenë 61 bashki, s’mund të përplasemi me murin, kot mblidhet komisioni.
Sa i takon propozimeve, duhet një ndarje mes zonave rurale dhe urbane. Decentralizim real të buxhetit, pasi deri më tani nuk është zbatuar”, vijon ai. Shehi tha se deri më tani nuk ka patur diskutime as me foltoren e PD dhe as me z. Alibeaj. Ai theksoi se kjo çarje e opozitës duhet qepur sa më shpejtë për të qenë sa më të bashkuar për zgjedhjet e radhës parlamentare. Shehi rrëzon zërat që e listojnë atë ndër kandidatët e mundshëm për Bashkinë e Tiranës. “Nuk e kam atë ambicie. Është një pozicion që kërkon energji rinore, unë do mbështes kandidatin e përbashkët që do zgjedh opozita”, tha ai.
Shehi sulmon Metën
Më tej kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi thotë se opozitën e bashkon lufta kundër Edi Ramës. Ai tha se Meta ka treguar shumë herë që mundë të ndryshojë kah politik, duke shtuar se beteja duhet vazhduar bashkë edhe në zgjedhjet lokale. “Ne na bashkon lufta ndaj Edi Ramës, nuk bëjmë krushqi ne. Meta nesër ikën, sepse e ka alternuar veten e tij shumë herë. Herë me socialistët, herë më demokratët, nuk e di se çfarë bën.
Sa herë Meta ka qenë në një linjë të drejtë, e kam mbështetur. Edhe në vitin 2008 kemi qenë bashkë. Ne kemi një luftë kundër PS-së dhe kjo na bashkon, dhe kandidatët e përbashkët. Por mund të na ndajnë edhe gjëra të tjera. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë deri në zgjedhjet e lokale edhe kur nuk e duam njëri-tjetrin, sepse nuk po martohemi”, nënvizoi Shehi.
Duka: S’mund të dalim me kandidatët e Berishës
Ndërkohë, edhe kreu i Partisë Agrare, Agron Duka u shpreh se tashmë duhet të dilet në një kandidat të përzgjedhur mes gjithë opozitës. Ai tha se nuk mjafton një kandidat t’i nxjerrë nga primaret e PD-së, apo edhe bashkë me Partinë e Lirisë për të fituar zgjedhjet. “Në gjendjen normale kur PD-ja ishte e fortë, bisedonte me aleatët e vet dhe thoshte që ku do të linte zonë të lirë dhe pastaj dilnim me kandidatë të përbashkët.
Tashmë kemi një PD të Berishës dhe një që tenton që ta marrë siglën. U pa se në 6 bashki ishin aq të rëndësishme pjesët sa i morën vota njëra-tjetrës. Ne jemi të detyruar që të dalim me një kandidaturë, por nëse primarët bëhen vetën në PD, kandidati është i paragjykuar sepse është vetëm i Berishës. Nëse hidhen 3-4 kandidatura dhe del më i pëlqyeshëm, atëherë të dalë kandidat për kryetar bashkia. Nuk kemi luks për prova, na duhet kjo zgjedhje e arsyeshme. Nuk mjafton një kandidat LSI-PD për të fituar zgjedhjet”, tha Duka./Sidorela Braçja