Policia Rrugore e Tiranës duket se ka një amnisti kur vjen puna tek VIP-at. Herë pas here këta të fundit i bëjnë karshillëk uniformave blu teksa ecin me shpejtësi tej normave të lejuara.
Për të mos mjaftuar kjo, ata zgjedhin edhe ta pasqyrojnë “çmendurinë” e tyre në rrjetet sociale.
I fundit ka qenë një personazh i quajtur Fatjon Kuqari i cili është bërë i famshëm nga një program në Top Channel.
Pranë Tiranës, ai ka ka filmuar veten teksa thyen rregullat e qarkullimit rrugor, me shpejtësi skëterrë.
Siç shihet në videon e publikuar nga vetë ai në rrjetet sociale, ku ndiqet nga mijëra të rinj, ky personazh ecën me mbi 215 km/h, me makinën e tij tip “Audi”.
Ndërkohë që të gjithë kërkojnë një sensibilizim për respektimin e rregullave rrugore, për shkak të aksidenteve tragjike, të famshmit që numërojnë mijëra ndjekësa, sfidojnë publikisht policinë.
Edhe pse policia lajmëron përditë se ka nisur një fushatë për sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve, e madje ka zbarkuar në terren me dhjetra posblloqe, në Tiranë duket se VIP-at janë të paprekshëm.
Mediave iu dërgohen njoftime e pamje nga aksionet e Policisë për patenta të bllokuara, shpejtësi disa herë mbi normat e lejuara,ndërkohë të ashtuquajturit “VIP-a” bëjnë show në rrugë me makina të modeleve të fundit, me mbi 200 km/h.
Këtu mjafton të kujtojmë edhe rastin e dy aktorëve Donald dhe Romeo Veshaj të cilët u shfaqën në Tiranë duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor dhe ndaj tyre nuk u mor asnjë masë.
Këtu mjafton të kujtojmë djalin e Erzen Breçanit, Jehon Breçani i cili gjithashtu aksidentoi një të re ku pak më parë lundronte nga makina në rrjetet sociale.
Rast tjetër ka qenë disa muaj më parë tek Ambasada italiane në Tiranë ku një shofer është futur me 150 km, ndërsa semafori ka qenë me të kuqe dhe në vijat e bardha kanë qenë duke kaluar disa kalimtarë.
Shoferi problematik, sipas raportimeve rezultonte i ndëshkuar me mbi 40 gjoba dhe sërish qarkullimi i tij rrugor nuk pengohej nga efektivët, qoftë edhe në një prej zonave më të ruajtura të Shqipërisë ç’ka ngjalli mjaft irritim te qytetarët.
Ndërkohë, më herët, për situatën e aksidenteve shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Erion Ahmetaj, ka thënë se Tirana prej 8 vitesh ka një rënie me 19 të vrarë më pak në krahasim me vitet tjera dhe sipas tij ky rezultat është atribut i punës së policisë.
Ai deklaronte në emisionin “Bardh a Zi” se përgjegjësi për aksidentet më së shumti kanë këmbësorët.
“Janë tre katër faktorë në ndodhjen e aksidenteve. Ajo që është më kryesorja, është respektimi i sinjalistikës nga këmbësorët, ku numrin më të madh të ngjarjeve rrugore në Tiranë e kapin këmbësorët për shkak të mosrepesktimit të rregullave të sinjalistikës horizontale dhe vertikale”, tha Ahmeti.
Nga ana tjetër, VIP-at e Tiranës duket se janë të paprekshëm. Për t’ia lehtësuar punën uniformave blu, po vëmë në dispozicion disa nga pamjet e të famshmëve që krenohen në rrjetet sociale.