Veniten planet për rrëmuja pas zgjedhjeve të 25 prillit. Javët e fundit tensioni në vend është rritur dhe të vetmit që i fryjën zjarrit të tensioneve janë presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Presidenti çdo ditë jep sinjale se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve nëse fiton PS, ndërsa po e bën të qartë se mund të kemi revolta.
Çdo ditë kreu i shtetit flet për rrëmbim pushkësh, për ngritje të popullit apo dhe për prerje duarsh. Nga ana tjetër ish-kryeministri ka paralajmëruar një 20 shkurt të dytë nëse PD nuk fiton. Por duket se çdo plan destabilizimi pas zgjedhjeve do të jetë shumë i vështirë të realizohet, të paktën deri në muajin qershor.
Më datë 26 prill në Shqipëri do të nisë stërvitja më e madhe ushtarake e vitit “Defender Europe 21”, ku do të marrin pjesë rreth 8 mijë forca ushtarake të NATO. Pas mbërritjes së ushtarëve amerikanë që do të trajnojnë forcat shqiptare për stërvitje në fjalë, në fundjavë kanë nisur të vijnë dhe armatimet me forcat e para ushtarake. Në portin e Durrësit, ka mbërritur anija e parë ushtarake amerikane “USAV MG CHARLES”, e cila ka nisur dhe zbarkimin e trupave të para ushtarake dhe të mjeteve logjistike që do të përdoren për stërvitjen “Defender Europe 21”.
8 mijë trupat ushtarake do të kalojnë në territorin shqiptar, ndërsa mësohet se shumë prej tyre shpërndahen në bazat ushtarake shqiptare. Pra në shumë qytete të Shqipërisë do të ketë prezencë të ushtarëve të NATO. Fakti që kjo stërvitje nis një ditë pas zgjedhjeve, është sinjal i qartë se askush nuk mund të tentojë destabilizim. Shqipëria është anëtare e NATO dhe çdo trazirë nuk do tolerohet.
Detajet e stërvitjes
Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen mijëra trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1.000 automjete joluftarake. Në stërvitje do të marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.
Pra duket qartë se me një prezencë të tillë ushtarake shanset për skenarë destabilizimi pas zgjedhjeve janë zero. Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në paketën e stërvitjeve “Defender Europe 21” është demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe të NATO-s në aktivitete/operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks, në poligone e terrene stërvitore.
Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021, në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, në bazën ajrore të Farkës, në bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës e Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone.
Në total në stërvitjen që do të zhvillohet dhe në disa shtetet europiane do të jenë 31 mijë trupa, ku rreth 8 mijë do të kalojnë përmes territorit shqiptar, ndërsa rreth 3.100 trupa do të qëndrojnë në vendin tonë për gati dy muaj. Kjo stërvitje është një mesazh i qartë për Rusinë dhe shtetet e tjera që përbëjnë kërcënim për aleancën e NATO, pasi do të ketë demonstrime me avionë, raketa, tanke e luftime tokësore./KLiti Topalli