Ende jam i paqartë përse partia e Berishës i dha shansin dje Edi Ramës të mbajë në Parlament një nga fjalimet më të mira të jetës së tij politike rreth antikomunizmit dhe raportet me të, të dy partive politike kryesore, tredhjetë e dy vjet pas rrëzimit të tij.
Është e pakuptueshme se pas një bilanci 32- vjeçar poshtërues të partisë së Berishës, si kultivuese e vlerave komuniste në vend, ai tenton të përdorë ende dështimet e tij si kalë si beteje. Dhe janë së paku pesë pika kryesore që formojnë identitetin e komunizmit shqiptar dhe që jetojnë sot si në një muze në partinë e Sali Berishës.
Komunizmi shqiptar, si nga regjimet më të izoluara të botës, kishte si dimension kryesor frymën anti-perëndimore dhe urrejtjen ndaj SHBA dhe Perëndimit në Shqipëri.
32 vite pas rrëzimit të komunizmit, ne kemi sot një parti politike që po hedh rrënjët e anti-amerikanizmit dhe po forcon retorikën anti-perëndimore në vend. Është partia e Sali Berishës.
Komunizmi shqiptar, si një regjim gjakatar autoritarist, kishte si dimension kryesor luftën brenda llojit dhe urrejtjen ndaj “armiqve” të brendshëm.
32 vite pas rënies së komunizmit, ajo që po ndodh në debatin e brendshëm në PD, është shëmbëlltyrë e urrejtjes ndaj armiqve të brendshëm, që tani quhen “besëprerë”, brenda një partie politike.
Kacafytja mes tyre dhe urrejtja që partia e Sali Berishës ngjall ndaj rivalëve brenda partisë, është një muzë real i komunizmit në Shqipëri.
Komunizmi shqiptar, si një regjim armik i zgjedhjeve të lira dhe konkurrencës politike, përfundonte votimet me 99 për qind për udhëheqësin e madh.
32 vite më pas, e vetmja parti që e ripërtërin këtë traditë dhe krenohet me të, është partia e Sali Berishës.
Komunizmi shqiptar, ishte armik i pronës private dhe urrejtës i kapitalit të madh.
32 vite pas rrëzimit të tij, retorika e partisë së Sali Berishës, është një urrejtje ndaj investitorëve në vend, dhe akoma më keq, një shkatërrues i madh i rikthimit të pronës tek pronari.
Ai është ideator i zaptimit të tokave, rrethimit të periferive me të ardhur që zaptojnë, mbrojtës i kauzave të “nëna Lizës” dhe atyre që përveç tokave të zaptuara, duan dhe privilegje si zaptues.
Komunizmi shqiptar ishte një denigrues i madh i figurave të shquara të kombit shqiptar, që kanë hedhur themelet e shtetit, por që për arsye ideologjike nuk ishin komunistë. Ata u pushkatuan, ose denigruan si tradhtarë të kombit.
32 vite më pas, partia e Sali Berisha nuk bëri asnjë hap për rehabilitimin e tyre, përveçse disa figurave provinciale që i shkonin për shtat politikës së tij.
Disa prej figurave më të ndritura të kulturës shqiptare, si Eqerem Bej Vlora apo Mithat Frashëri, u nderuan nga Edi Rama.
Për ti fyer deri në gen, partia e Berishës ka bërë akte dhe më poshtëruese, pasi ka përdorur pushtetin dhe fëmijët e tij t’u marrë tokat e pasuritë e të bëjnë biznes me to, si në rastin e tokave në Vlorë e Sarandë, ose ka marrë pasardhës të degraduar të tyre dhe i përdor si dordolec për të fyer figurat e tyre, duke i quajtur politikanë. Kjo është një vrasje e dyfishtë e emrit të tyre dhe familjeve të tyre.
32 vite pas rënies komunizmit, partiaa e Berishës është sot partia më anti-perëndimore në vend, partia pa garë demokratike, partia që trajton kundërshtarët si armiq dhe ngjall urrejtje për ta, partia që fyen trashëgiminë historike dhe materiale të së djathtës shqiptare dhe ngjall urrejtje për kapitalin.
32 vite më pas, ai e ka kthyer partinë e dhjetorit 1990, në shëmbëlltyrë të partisë së Enver Hoxhës. Mirë ka bërë, se na duhej një parti komuniste, por nuk e kuptoj pse mërzit komunistët duke e quajtur dhe Edi Ramën “komunist” dhe i jep shansin të mbajë një fjalim si i djeshmi. Se kështu mund të humbasë dhe votën e komunistëve.