Një vit më parë, nëna e një prej ikonave të muzikës shqiptare, Parashqevi Simakut iku e pikëlluar nga kjo jetë, me sytë nga një foto e vajzës të cilën nuk e kishte parë e as kishte dëgjuar për të, prej më shumë se një dekade.
Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992, e nga vështirësitë e nisjes së një jete të re në një vend të huaj, dramë që i la pasoja të rënda edhe në gjendjen e saj emocionale, u bë divorci me bashkëshortin amerikan që njohu atje. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja. Të afërm të saj e kanë kërkuar prej vitesh, por opinioni i gjerë publik në Shqipëri mësoi për herë të parë këtë të premte për fatin e trishtë të Parashqevi Simakut nga një video mjaft e shkurtër që me shpejtësi u bë virale në rrjetet sociale.
Ylli i muzikës shfaqej në një intervistë, jo ashtu siç do ta dëshironin shqiptarët rikthimin e saj, por si e pastrehë në një qendër vullnetare ku disa fëmijë i japin një çantë me veshje e ndihma.
Serbi/ Vuçiç: SHBA do t’i vendos sanksione industrisë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse
LEXO EDHE:
Serbi/ Vuçiç: SHBA do t’i vendos sanksione industrisë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse
Artistja ikonë merr pakon e dëgjohet të thotë se është me fat, teksa shumë mirënjohëse nis të shohë pa komplekse se çfarë ka brenda.
“Jemi shumë me fat”, thotë ajo teksa merr pakon.
Për këtë video transmetuar në televizionin amerikan AbC7, nuk ka informacione të sakta se kur dhe në cilin shtet të Amerikës është bërë, por ajo që dihet me siguri, është se dashamirësit e saj në Shqipëri, e njohën menjëherë, pavarësisht viteve dhe transformimit. Report tv kontaktoi me të afërm të këngëtares, të cilët konfirmojnë se gruaja në video është Parashqevi Simaku, ndërsa rrëfejnë se gjendja e saj shëndetësore dhe psikologjike nuk ka qenë e mirë.
Në përpjekjet e saj për t’u njohur si artiste edhe në tokë e largët, Parashqevia njeh bashkëshortin e saj të ardhshëm, Robert Nolfe, një kitarist i njohur atje dhe nisën jetën së bashku në Nju Jork. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç ajo kish ëndërruar.
Thuhet se pësoi hemorragji cerebrale pas divorcit rreth 18 vite më parë, pak kohë pasi solli në jetë një djalë.
Dhe në Amerikë – siç të afërmit tregojnë – e mbajti pikërisht djali, kujdestarinë e të cilit e fitoi ish-bashkëshorti. Siç të afërmit na tregojnë – Parashqevi Simaku besonte se sapo i biri i vogël të mbushte 18 vjeç do të zgjidhte vetë të kthehej në krahët e saj.
Vitet e para artistët shqiptarë e kanë ndihmuar shumë për të vijuar jetën në Amerikë, si shqiptare për herë të parë në një vend të huaj. Por prej kohësh edhe ata, nuk kanë asnjë kontakt me të.
Pas jetës së re që nisi në Amerikë, këngëtarja më e dashur e shqiptarëve në kohërat më të errëta të komunizmit, u rikthye sërish në tokën e saj, ku aq shumë e donin, në 1997-ën, së bashku me bashkëshortin.
Me një publik të etur për zërin dhe performancat e saj, Simaku, së bashku me bashkëshortin, mbajtën disa koncerte, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të afërmit thonë për Report Tv, se rikthimi i dytë i artistes ikonë, ishte për ndarjen nga jeta të babait të saj në Durrës mbi 15 vite më parë.
Shkëputja që ikona e muzikës shqiptare pati për vite të tëra me vendin e saj, duke mos marrë pjesë pas vitit famëkeq të 97-ës, në asnjë koncert apo festival, e aq më pak intervista televizive, ka ngjallur gjithnjë kuriozitetin e opinionit publik, ndërsa tani, me të vetmen gjurmë nga jeta e saj, këtë video, shqiptarët, duan të gjejnë e rikthejnë, Parashqevi Simakun.