Një çift, me origjinë iraniane, është ndaluar të shtunë në Belgjikë me akuzën se po përgatitnin një atentat në Villepinte, në Francë.
Sipas hetuesve, të dy, rreth të 30-ave, synonin të godisnin gjatë një takimi të një grupi të opozitës “Muxhahedinët e popullit iranian”, aktivitet ku ishin të pranishëm edhe ministri shqiptar i Diasporës Pandeli Majko dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Gjatë kontrollit policia ka gjetur 500 gramë eksploziv TATP dhe një detonator në makinën e tyre.
Sipas asaj që shkruajnë mediat lokale, të dy, me kombësi belge, janë banues në Wilrijk, një qytezë pranë Anversës.
Të shtunën çifti është ndaluar teksa në bordin e makinës me të cilën udhëtonte nga policia e Brukselit në një lagje të kryeqytetit dhe është arrestuar pas gjetjes së eksplozivit.
Sakaq, në Francë është arrestuar një bashkëpunëtor i dyshuar dhe po merren në pyetje dy persona të tjerë, ndërsa në Gjermani është ndaluar edhe një person-kontakt i çiftit, një diplomat iranian, i cili punonte në ambasadën e Vjenës në Austri.
Ashtu si çdo vit, opozita iraniane e cila përfaqëson edhe muxhahedinët e ardhur në Tiranë, u mblodh para pak ditësh sërish në Paris, në takimin e tyre më të rëndësishëm, që mbledh delegacione nga e gjithë bota.
“Irani i Lirë” ishte tema e takimit të këtij viti.
Maryam Rajavi, Presidentja e këshillit kombëtar të Rezistencës së Iranit, tha se fitorja është e pashmangshme pasi kryengritja dhe protestat e kanë kaluar tashmë kufirin dhe Irani do të jetë i lirë.