Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka zbuluar se çfarë e pret sot ish-kryeministrin Sali Berishën, i cili ka thirrur një protestë 30 minua përpara se të mblidhet Këshilli i Mandateve që të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij.
Gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, Braho theksoi se sipas Kodit Penal, Berisha meriton burgun. Madje teksa kujton një thënie të politikanit të njohur, Namik Hoti, ish-deputeti socialist shton se ish-kryeministri Berisha duhet të marrë dënim edhe më të rëndë për të gjitha mëkatet e tij gjakatare e historike.
“Sot nuk do ndodhë asgjë nga ato që llomotit Saliu. Mosbindjecivilsat që do ulërasin nja 30 minuta dhe pasi te ngjiren e të konsumojnë pjese nga repertori i truve te shpëlarë do ikin përsëri në “Bathore”. Kurse thirrja dhe synimi për dhune janë broçkulla të mendjeve të sëmura që sajojnë e trimërojnë veten për t’i dhënë zemër vehtes. Ja kështu ky grumbullim i turmës qe do të turret për dhunë do të sigurojë e justifikojë veprimet e organeve për të qenë ato korrekt me zbatimin e ligjit.
E kam përsëritur disa herë se fundi i Sali Berishës është se ai do përfundojë i mbyllur ne “kafazin e hekurt” të krimeve, por jo në qelitë e burgut. Jo se është 80 vjeç e nuk e kap ligji. Ligji i sotshëm i kodit penal e parashikon edhe burgun,por atij nuk i duhet dhënë kjo kënaqësi që e heroizon atë dhe pseudomisionin e Tellallit te Partiçkës se Rithemelimit. Ne fakt, mëkatet gjakatare e historike të tij meritojnë më shumë. Një shembull na e ka dhënë Namik Hoti.
I ndjeri Namik Hoti, një politikan, i cili ishte një personazh shumë interesant dhe argëtues, përveçse një njeri i lexuar, dha një përkufizim në vitin 1995, që rezultoi profetik. I ftuar në një talk shoë televiziv që drejtohej nga Adi Krasta, Hoti, duke ju referuar Sali Berishës tha: “Ai është një malësor që nuk rrëzohet nga kali pa e vrarë”. Të nesërmen, paramilitarët e Berishës e rrahën keqas Namik Hotin. Asgjë të re do te ketë sot nga kori zhurmues i Sali Berishës”, u shpreh Spartak Braho.
Dosja e zezë e Berishës
Po ashtu Spartak Braho përmend edhe disa detaje nga dosja e zezë e Sali Berishës. “Dosja e Saliut për veprat e tij antishqiptare është shumë më e zezë se sa ajo e Esatit. Mua më duket sikur Esatin po e bëj më të zi se ç’është duke e krahasuar me Saliun. Esati nuk pati kohë t’i realizonte planet e tij, sepse e vrau Avni Rustemi në Paris.
Ndërsa ky Esati modern me emrin Sali erdhi në pushtet, në majat më të larta dhe për tridhjetë vjet me radhë nuk ka të ndalur…Ai erdhi në pushtet me mbështetjen e UDB dhe shërbimeve të tjera agjenturore, ku dallon ai francez.. Heshtja e tij tregon që ai nuk është në gjendje t’i kundërshtojë këto. Do të dalin një ditë dokumentet autentike të bashkëpunimit me agjenturat e huaja si një superagjent. Por, shikoni aktet antikombëtare të këtij njeriu. Lexoni librin “Çështja shqiptare – riformësimi i Ballkanit” të autorëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers.
Ata thonë se gjatë kohës së studimeve në Francë, (vitet 70), Sali Berisha ka dekonspiruar te shërbimi fshehtë francez rrjetin e agjentëve shqiptarë të zbulimit, emrat e të cilëve i janë përcjellë me siguri UDB-së. Por akti më i poshtër i këtij njeriu ndodhi kur Berisha mori pushtetin dhe sabotoi luftën e UÇK-së. Shikoni se çfarë shkruajnë autorët anglezë në faqet 156-157 të këtij libri:
“Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej 54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës. Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar personelin më të rëndësishëm.
Mund të pohohet se qeveria e Partisë Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur. Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të Drenicës (në Kosovën qendrore), ndërsa krejt familja e tij do të shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës, ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993.
Zëdhënësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari, Hysni Vulaj u vra nga një grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997, ishte arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995.” Jasharët dhe Hashim Thaçi i dinë mirë këto veprime ndaj tyre.” Pikërisht në këtë kohë qeveria e Berishës thyente embargon e OKB-së ndaj ish-Jugosllavisë dhe furnizonte me naftë makinerinë e luftës të Millosheviçit.
Sali Berisha ngriti edhe shoqërinë “Shqiponja” pranë PD-së, të cilën e administronte Tritan Shehu. Më vonë ishte Sali Berisha që i bënte thirrje delegacionit kosovar në Rambuje që të mos e firmoste marrëveshjen që çoi në çlirimin e Kosovës.
Jam ne dijeni të deklasifikimit të mjaft dokumenteve të UDB të cilat do të na njohin me fakte të tjera. Duhet patur parasysh edhe se dokumentacioni agjenturor i Sali Berishës që arshivohej në SHIK, me urdhër te Gazidedes u asgjësua, po njerëzit që janë marrë me kundërzbulimin janë akoma gjallë dhe disponojnë dokumente autentike”, nënvizoi Braho për gazetë “SOT”.